• |
ide | kryesore

Faktet/ Si po vdes dalë ngadalë Skënderbeu kampion

Kryesore, Sport



Një polemikë mes dy futbollistëve legjendë të futbollit Korçar dhe kombëtar të viteve ’80, Portierit Jani Kaçi dhe sulmuesit Dhimitraq Xhambazi ka kthyer në qendër të vëmendjes dramën e kampionëve të Skënderbeut të Korçës që kur gjykata sportive KAS, konfirmoi vendimin e UEFA për ta dënuar skuadrën korçare që të mos marrë pjesë për pothuajse 10 vite në garat e saj. Praktikisht ky është një dënim me vdekje për këtë skuadër sepse pa kupat e europës (edhe parate legale jo ato të basteve) ajo e ka të mundur të jetojë financiarisht. Pa këto gara edhe futbollistët nuk kanë më një vitrinë për të vazhduar karierën e tyre në klube më të mëdha. Prandaj dalë ngadalë skënderbeun e famshëm kanë filluar t’a braktisin një nga një të gjithë.

Vendimi i UEFA/Pse u dënua Skënderbeu

A i meriton titujt kampion Skënderbeu?

I pari e braktisi anijen trajneri i skuadrës, Ilir Daja. Megjithëse pati deklaruar publikisht se edhe nëse dënimi do të konfirmohej, përsëri do të qëndronte në Korçë, ai e ndjeu tokën që po rrëshqiste nën këmbë. Pas tij një nga një thanë lamtumirë 7 nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Ali Soue iku pasi i përfundoi huazimi. Gledi Mici, Sabjen Lilaj dhe Tefik Osmani, pas përfundimit të kontratës, nuk preferuan të vijojnë karrierën me Skënderbeun i cili në sytë e tyre tashmë dukej një klub pa të ardhme. Xhejms Adeniji, Enis Gavazaj dhe Suad Sahiti u shitën nga klubi, i cili nuk ka më të ardhurat e garave. Ndoshta një nga një mund të largohen në të ardhmen edhe sponsorat e klubit i cili mori hov një dekadë më parë si bashkim i një grupi biznesmenësh të fuqishëm, të mbështetur fort edhe nga ministri i Financave të asaj kohe dhe deputeti i Korçës, Ridvan Bode.

Për kampionin e dikurshëm Jani Kaçi, ajo që po ndodh me Skënderbeun e ka bazen tek korruptimi moral i klubit që startoi i si i tillë. “Në Korçë u investua, por mungonte karakteri dhe morali. Edhe lojtarët donin që ndeshjet t’i merrnin në tavolinë… Në vitet e para Skënderbeu i mori ndeshjet në tavolinë me ndihmën e pushtetit. Realiteti në Korçë është shumë i dhimbshëm. Unë i di të gjitha çfarë kanë ndodhur, por për çfarë të flas kur këtu as institucionet nuk janë më të besueshme” tha ai në një intervistë për Panorama Sport.

Por, ndryshe nga Kaçi që në intervistën e tij lë të kuptohet se beson në vendimin e UEFA-s për 53 ndeshjet e trukuara të Skënderbeut, ish bashkëkohësi i tij, sulmuesi i skuadrës që rivalizonte titullin kampion me Dinamon e fund viteve ’70, mendon se kjo është e ekzagjeruar. Ai e sheh skënderbeun e periudhës së fundit si një projekt model dhe deklaron se me një mesfushor të mirë dhe me një sulmues të tipit Ali Sue Skënderbeu mund të jetë sërish pretendent.

Megjithëatë, Jani Kaçi mbetet skeptik. Përpos trajnerit dhe 7 lojtarëve kryesorë të skuadrës që u larguan ai parashikon edhe më keq. “Edhe ndonjë lojtar që ka mbetur te Skënderbeu nuk ka gjetur mundësi në skuadra të tjera, prandaj dhe ka qëndruar në Korçë”. Pra nëse gjejnë mundësi erozioni do të thellohet këmbëngul ai. A do të ndodhe kështu? A do të shkojë drejt shpërbërjes skuadra korçare në vitin që gjithë shqiptarët do ta përkujtojnë si viti i Skënderbeut? Frika për këtë është e madhe.

©Lapsi.al



3 Comments

  1. Korcen e fundosi politika e Majte. Me vjen keq qe jemi kaq injorante sa edhe nje ekip kaq te madh qe e kishim e varrosem pa nderime…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *