• |
ide | kryesore

Shkrimi i Sputnik/ Dyshimet ruse dhe serbe për bazën ajrore të NATO-s në Shqipëri

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ngritja e një baze ajrore të NATO-s në Shqipëri nuk shihet me sy të mirë si nga rusët, ashtu edhe nga serbët. Dyshimet, aludimet dhe hezitimi për ta marrë të mirëqenë lajmin dhe vendimin e NATO-s ndjehet që në nisje të prononcimit të një eksperti rus të studimeve strategjike ruse dhe të ish kreut të zyrës për Kosovën në Serbi.

Sergej Ermakov dhe Dushan Prorokoviç japin një sërë komentesh për vendimin e NATO-s duke konfirmuar e ky vendim nuk shihet me sy të mirë në lindje në shkrimin me titull; Ish politikani serb: NATO nuk ka arsye të ngrejë bazë ajrore në Shqipëri.

Po ashtu bie në sy edhe vënia në dyshim e lajmit, tashmë i konfirmuar edhe nga zëdhënësi i NATO-s për Agjensinë Shtetërore.

Më poshtë shkrimi i plotë i publikuar nga Sputnik.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama lajmëroi në 4 Gusht se NATO do të ndërtojë një bazë ajrore në Kuçovë, ku do të investojë 50 milion euro (58 milion dollarë). Sputnik ka intervistuar një ekspert rus dhe ish kreun e zyrës serbe për Kosovën, se përse NATO kërkon të ndërtojë një bazë në këtë zonë.

I pari është Sergey Ermakov, një ndër ekspertët më të mirë të Institutit për Studimet Strategjike ruse, i cili thotë se deklaratat e Edi Ramës për bazën ajrore të NATO-s nuk duhen besuar aq shpejt. Gjithsesi, ndërtimi i një baze të tillë nuk do të ishte surprizë për të.

“Gjatë samitit të fundit të NATO-s, shtetet anëtare ranë dakort të shtojnë praninë ushtarake në jug të kufijve të tyre. Ballkani është shumë i rëndësishëm për të vënë në zbatim këtë marrëveshje, sepse i jep akses direkt në rajonet e Mesdheut dhe të Detit të Zi, nga ku mund të vijë rreziku për Aleancën” thotë Ermakov.

Ndërkohë ish Drejtuesi i Zyrës për Kosovën, Dushan Prorokoviç, është skeptik për shanset e një baze të nATO-s në Shqipëri. Ai thotë se megjithëse, Presidenti Trump i ka bërë thirrje vendeve të rrisin shpenzimet, Aleanca nuk i ka 50 milion euro për t’i shpenzuar në një bazë tjetër.

“Mendoj se Edi Rama, kërkon ta mbajë mirë me amerikanët, duke iu ofruar diçka. Në fakt nuk shoh asnjë arsye reale, se përse NATO do të konsiderojë ngritjen e një baze në Shqipëri, apo në ndonjë shtet tjetër të Ballkanit. Sepse amerikanët tashmë kanë rrethuar të gjitha pikat e interesit në rajon me praninë e tyre” thotë ai.

Ish politikani serb kujtonse përveç Kampit Bondsteel në Kosovë, NATO ka katër baza në Bullgari, bazën ajrore Deveselu në Rumani, Avianon në Itali, Ramstein në Gjermani dhe Incirlik në Turqi. Me kaq shumë baza ajrore në rajon, NATO nuk ka pse t’i nevojitet një tjetër në Shqipëri.

Gjithsesi Prorokoviç nuk e përjashtoi mundësinë që NATO të investojë në shtetet e Ballkanit dhe përveç një baze ajrore mund të investojë edhe në infrastrukturën ushtarake të rajonit në përgjithësi.

“Nëse NATO vërtet ndërton diçka të tillë në Shqipëri, nuk do të jetë një bazë ushtarake e nivelit të lartë” thotë ai.

Duke komnetuar pranimin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë në NATO, Prorokoviç vëren se aleanca kërkon të “kapë territore” që në rast konflikti, të mos ketë probleme me zhvendosjen e trupave në rajon.

Sipas Ermakov, vetëm një bazë ajrore e NATO-s në Shqipëri nuk përbën ndonjë rrezik për Rusinë, pavarësisht të gjithë retorikës anti-ruse që qarkullon për momentin.

“Expertët e NATO-s bëjnë presion mbi shtetet e Ballkanit që ende nuk janë pjesë e Aleancës, që këto të ngrejnë nivelin e infrastrukturës ushtarake në standartet e NATO-s dhe sipas një modeli sigurie të NATO-s. Presion kanë edhe vendet skandinave” thotë eksperti.

Prokoroviç beson se vendet skandinave dhe shtetet baltike kanë më interes për NATO-n sesa vendet ballkanike, për shkak të qëllimit për të shkëputur lidhjet mes Gjermanisë dhe Rusisë, dhe në veçanti për shkak të prjektit të gazsjellësit “Nord stream 2”.

“Situata mund të ndryshojë, jo për shkak të shteteve ballkanike, por për shkak të rritjes së influensës ruse në rajon dhe për shkak të zhvillimeve të mundshme në Turqi” thotë ish politikani serb”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *