• |
ide | kryesore

Samsung prezanton produktet e reja, gjithçka që duhet të dini nga eventi ‘Unpacked’

F1, Stil



Samsung përfundoi para pak minutash super-eventin e saj “Unpacked” në Nju Jork, ku prezantoi produktet e reja për vitin 2018.

Gjigandi koreano-jugor nisi prezantimin me telefonin e shumë pritur, Galaxy Note 9.

Klasi “Note” i Samsung përfaqëson telefonat më të fuqishëm të kompanisë. Lapsi.al ndoqi live eventin dhe më poshtë përmbledh pikat kryesore të prezantimit 90-minutësh. Samsung nuk zhgënjeu as këtë vit.

Galaxy Note 9 vjen me një bateri 4000 miliamper, që supozohet të mbajë telefonin së funksionuari për plot 24 orë. Salla shpërtheu në duartrokitje. Por, ky ishte vetëm fillimi. Galaxy Note 9 vjen me stilolapsin e tij dixhital të ri, i cili jo vetëm mban shënime në ekran, por edhe mund t’a kontrollojë telefonin nga distanca të caktuara, duke filluar që nga shkrepja e fotove, prezantimi i slideve të Power Point, apo kontrolli i muzikëve. Note 9 do të vijë me dy memorje, 128 dhe 512 gigabyte, rekord në tregun e telefonave inteligjentë. Por, nëse blini një micro SD-card memorja e telefonit tuaj prek 1 terabyte, më shumë se shumica e laptopëve në shitje sot. Note 9 ka dy bokse, stereo speakers, dhe një version të ri të kameras. Samsung reklamoi fort AI (Inteligjencën artificiale) të kameras së re tek Note 9. Sipas kompanisë, kjo teknologji do të përmirësojë ndjeshëm fotot. Gjithçka do të bëhet automatikisht nga telefoni juaj celular, shkruan Lapsi.al.

Me një çmim prej 999 dollarë për versionin 128 gb dhe 1249 dollarë për versionin 512 gb, Galaxy Note 9 del në shitje me datë 24 gusht.

Pas Note 9, Samsung prezantoi Galaxy Smart Watch, orën e re të kompanisë.

Me një bateri që supozohet të mbajë së funksionuari orën inteligjente për disa ditë me radhë, Samsung garantoi se Smart Watch do t’ju ndjekë gjatë gjithë ditës, që nga gjumi, aktiviteti fizik, niveli i stresit dhe jo vetëm, për të siguruar që ju bëni një jetë të shëndetshme. Ajo nuk do të ketë nevojë të jetë pranë telefonit për të marrë dhe kthyer telefonata e mesazhe. I njëjti numër që do të jetë tek telefoni i juaj Samsung, do të jetë edhe tek Smart Watch. Nëse dikush ju merr në telefon, thirrja do të vijë jo vetëm tek telefoni, por edhe nga Smart Watch, nga ku ju do të mund t’i përgjigjeni.

Çmimi i kësaj ore nuk është bërë ende i ditur.

I fundit në radhë për tu prezantuar ishte “Galaxy Home”, një boks super-inteligjent i Samsung që mund të vendoset kudo në shtëpinë tuaj dhe të krijojë, sipas Samsung, një atmosferë muzike sikur të ishit në qendër të një koncerti. Galaxy Home do të kontrollohet nga telefoni apo ora juaj. Ai do të ndjekë lëvizjet tuaja nëpër shtëpi, për të drejtuar muzikën drejt e tek ju. Samsung njoftoi se detajet për çmimin dhe lançimin në treg të këtij boksi të zgjuar do të bëhen të ditura së shpejti.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *