• |
ide | kryesore

Shqiptarët dhe Trauma e Kufirit

Blog



Po e nisi këtë tekst nga një premisë e psikanalizës së Frojdit. E gjithë jeta e njeriut, thotë Frojdi, është njëlloj ballafaqimi me simptomat e traumave të fëmijërisë së tij.

I. Nacionalizmi

Me gjasë, edhe kombet, njësoj si individët, i kanë traumat e tyre, me anë të të cilave ato përpiqen ta interpretojnë gjithë të kaluarën e tyre. Madje edhe të tashmen dhe atë që mund ta sjell e ardhmja.

Një nga traumat, në mos trauma themelore, e kombit dhe nacionalizmit shqiptar është trauma e kufirit. Në thelb të saj, qëndron dhembja dhe frika e tkurrjes së vazhdueshme të kufirit etnik shqiptar, nga koha në kohë, nga shekulli në shekull. Frika e tkurrjes, gjithmonë shoqërohet me frikën e vdekjes. Diçka apo dikush, që tkurret vazhdimisht, nuk mund t’i shpëtoj ndjesisë se po shkon drejt fundit, shkatërrimit a shpërbërjes. Tkurrja është paralajmërim i vdekjes dhe kombet që tkurren e kanë të vështirë ta evitojnë psikozën e këtij paralajmërimi.

Sot, në shoqërinë shqiptare, trauma e kufirit është pjesë bazike e kurrikulës kombëtare të edukimit, nga dita e parë e shkollës fillore, e deri në ditën e fundit të arsimimit universitar. Ne mësojmë se jemi pasardhës të ilirëve, territori i të cilëve, siç thuhet, shtrihej nga brigjet e Adriatikut e maja e Trigllavit në Slloveninë e sotme, deri tek Olimpi mitik në Greqi. Madje, ende sot, ka shumë patriotë të flaktë që mendojnë seriozisht se perënditë greke që besohej se banonin në Malin Olimp, kishin emra ilirë.

Pastaj mësojmë se si, njëri pas tjetrit, erdhën pushtuesit e ndryshëm dhe bashkë me ta edhe tkurrjet e kufijve tanë etnikë. Në fillim romakët që fundosën mbretëritë ilire, pastaj sllavët, që zaptuan Ballkanin, pas tyre Perandoria Bizantine dhe mbretëritë rajonale që dolën nga kriza e saj. Pas tyre osmanët që pasi sunduan gjatë këndej pari, në ditët e fundit të tyre, shumë territore të banuara me shqiptarë, nga brigjet e Tivarit e deri në pllajat e Nishit, ua falën shteteve të reja të Ballkanit. Pas turqve, fatalitetin e tkurrjes e vazhduan fuqitë e mëdha në Londrën e vitit 1913, duke lënë jashtë shtetit shqiptar, gjithë Kosovën me territoret shqiptare që janë sot pjesë e Maqedonisë, pa harruar Çamërinë në jug.

Ky është romani ynë kombëtar, traumatologjia dhe viktimologjia jonë kombëtare. Bibla jonë, nëse kemi parasysh faktin se nacionalizmi, në thelbin e tij, do të thotë ta bësh secilin popull me biblën e tij, me librin e shenjtë kombëtar, ku përmblidhen kronikat për rëniet dhe ngritjet e kombit, për vuajtjet dhe shpresat e tij, për heronjtë shpëtimtarë dhe armiqtë e tij.

II.   Kanuni i Lekës

Traumën shqiptare të kufirit e gjejmë edhe në kodin zakonor të fiseve shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Madje, aty, trauma ka marrë formën e tabusë, krejt si në analizën e Frojdit, ku mbi çdo traumë ndërtohet një tabu, do të thotë një ndalesë absolute. Kanuni i Lekës, thotë: “Eshtnat e vorrit e guri i kufinit faqe Kanunit janë paras (lexo: të barabartë). Me lujt kufinin asht si me lujt eshtnat e të dekunve”.

Mesazhi i analogjisë është i qartë: Pesha e shenjtërisë së vdekjes, është e njëjtë me shenjtërinë e gurëve të kufirit. Kush prekë kufirin do të thotë ka prekur vdekjen-traumën më të rëndë njerëzore.

Kjo dispozitë kanunore, nuk shpreh thjeshtë ndjeshmërinë e marrëdhënieve sociale e juridike mes disa fiseve të izoluara në vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, por, në të njëjtën kohë, edhe thelbin e marrëdhënieve tradicionale mes shteteve. Që nga kohërat e shteteve fillestare, e deri tek shtetet e sotme, vijat e kufijve mes shteteve, gjithmonë, kanë qenë vija të gjakderdhjeve mes popujve. Në këtë kontekst, Ballkani përbën një nga shembujt më të shquar. Natyrisht, ka pasur përjashtime, por, si në shumë raste të tjera, edhe në këtë rast, përjashtimi e konfirmon rregullin. Filozofi francez Rusoi e mallkonte njeriun e parë që shpiku kufirin e tokave, sepse, sipas tij, kjo shpikje solli më pas krejt të këqijat e njerëzimit. Me këtë ide, ky filozof, krahas ideve që frymëzuan Revolucionin Francez të vitit 1789, krijoj edhe ëndrrën kosmopolite për një botë pa kufij. Pas katastrofës së Luftës së Dytë Botërore, kur liderët e Evropës Perëndimore u mblodhën për të themeluar Bashkimin Evropian, dikush prej tyre përmendi ëndrrën e Rusoit. Sot, tek ne, kjo ëndërr shikohet në formën e liberalizimit të vizave.

III.         Një digresion

Shenjtërimi i gurëve të kufirit nga Kanuni është edhe një dëshmi më shumë për lidhjet e tij të forta me të drejtën romake dhe civilizimin latin në përgjithësi. Tek romakët kufiri mes tokave ishte çështje aq e rëndësishme sa ata ndërtuan kultin religjioz të zotit të kufirit. Emri i këtij zoti ishte Terminus. Fjalët e sotme, të cilat i përdorim aq shpesh, si “termin”, “terminal”, “gjendja terminale”, të gjitha vijnë prej këtij emri. Statujat e këtij zoti,në tempujt kushtuar atij, ndërtoheshin në formën e një guri të thjeshtë. Këta ishin gurët e terminusit romak, që në gjuhën e Kanunit të Lekës quhen gurët e kufinit. Vetë fjala shqipe “kufini” është e të një njëjtës familje gjuhësore me fjalën latine “confini”. Ernest Koliqi dhe Ismail Kadare kanë plotësisht të drejtë: Kanuni dëshmon se jemi europianë të vjetër, ndër më të vjetrit. Kjo dëshmi nuk duhet të shërbej për vetëmburrje nacional- romantike. As për të ndërtuar idolatri e idealizim të Kanunit. Kanuni është dëshmi se jemi europianë të vjetër, por nuk është garanci se do të bëhemi europianë modernë. Përkundrazi!

IV.         Përdorimi politik i traumës së kufirit

Kjo pra, është trauma shqiptare e kufirit, e lidhur me identitetin kulturor, por mbi të gjitha me dramat e etno-historisë sonë.

Prandaj, saherë që në mesin tonë preket çështja kufirit, trauma aktivizohet, nga thellësitë e errëta të asaj që Jungu e quante e “pavetëdijshmja kolektive” dhe më pas frika e mbërthen kombin. Frika e tkurrjes, si paralajmërim i shpërbërjes.

Ata që marrin guxim ta prekin plagën, rrezikojnë të kthehen në subjekte të mallkimeve e akuzave, nga më të rëndat, njësoj si ata që thyejnë tabutë e shoqërisë.

Pastaj dalin në skenë abuzuesit politikë të traumës, të cilët përpiqen të përfitojnë pushtetin politik prej saj, pushtetin, i cili, në Ballkanin që po përpëlitet midis liberalizmit perëndimor dhe autoritarizmit të ri lindor, fatkeqësisht dhe gjerësisht, kuptohet si kapacitet për të vjedhur shtetin në llogari të mirëqenies së familjes e fisit. Tri vite më parë, përdorimi partiak i traumës së kufirit, gati sa nuk shkaktoi djegien e Kuvendit të Kosovës, dhe sot, Presidenti i vendit, është futur në telashe politiko-mediatike, pasi doli me idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se politika nuk është thjeshtë përllogaritje gjakftohtë e interesave të ditës, por është e nevojshme të përsëritet herë pas here kjo gjë. Politika, gjithmonë, ushqehet nga një dimension i historisë. Shoqëria, thotë Edmund Burke, është partneritet i të gjallëve me të vdekurit dhe me ata që ende nuk kanë lindur. Themeluesi i filozofisë konservatore donte të thoshte se ne të gjallët nuk mund të bëjmë ligje dhe politikë, duke mos marrë parasysh përvojën dhe trashëgiminë e atyre që nuk janë më, pra, duke injoruar paraardhësit tanë, e as në mungesë të përgjigjes në pyetjen: Si do të jetojnë ata që nuk kanë lindur ende, pra pasardhësit tanë.

Në rastin për të cilin po flasim, këshilla e Burke-s, do të ishte kjo: Duhet të bëjmë politikë duke pasur kujdes me traumat e paraardhësve tanë dhe të njëjtën kohë edhe më shumë kujdes që të ndërtojmë një të ardhme pa trauma kolektive për ata që do të lindin.



2 Comments

  1. Shkrimi yt i kaluar me pelqeu por kesaj radhe e paske dh* muhabetin. Pse flet me aq snobizem per nacionalizmin>?Apo po shkon dhe ti ne rrugen e Muc Nanos?

  2. O Blerim shko filozofo per dicka tjeter por jo per “traumen e kufirit” se kufirin as nuk e japim. as sjemi te traumatizum,keshtu qe leri filozofite se dukesh qe t’paska ble Thaci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *