• |
ide | kryesore

SHBA dyfishon tarifat ndaj Turqisë, lira në rënie drastike

Planet



SHBA ka dyfishuar tarifat mbi produktet turke duke shënuar kështu fillimin e një “ndëshkimi” ekonomik e financiar ndaj Ankarasë pas tensioneve të kohëve të fundit.

Subjekte të tarifimit të dyfishtë janë bërë çeliku dhe alumini turk, dy prej eksporteve kryesore të Turqisë në botë.

Lajmi u bë publik nga vetë Presidenti amerikan Donald Trump.

Ndërkohë monedha turke lira shënoi një rënie të re rekord kundrejt dollarit amerikan dhe euros, duke humbur më shumë se shtatë për qind në vlerë, ndërsa mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara nuk po tregojnë shenja zbutjeje.

Tashmë lira turke ka humbur mbi një të tretën e vlerës ndaj dollarit dhe euros këtë vit, si pasojë e shqetësimeve që lidhen me politikën e brendshme ekonomike dhe situatën politike.

Por presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte qëndruar në heshtje të plotë gjatë gjithë javës, ndërsa monedha turke shënonte çdo ditë rënie, shprehu besim për situatën.

“Ne nuk do ta humbasim luftën ekonomike”, ka thënë Erdogan.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu citonte gjithashtu presidentin Erdogan të thoshte se Turqia do të jetë në gjendje të kapërcejë situatën ashtu si përmbytjet këtë javë në provincën Ordu të Detit të Zi.

“Me vullnetin e zotit do të kapërcejmë këto fatkeqësi (duke iu referuar përmbytjeve në Ordu) dhe gjithashtu do të jemi të suksesshëm në luftën ekonomike”, tha ai.

Me komentet e tij zoti Erdogan shkaktoi habi duke u përpjekur të zbusë përmasat e krizës ndërsa ka thënë: “nëse ata kanë dollarë, ne kemi njerëzit tanë, kemi të drejtën tonë dhe Allahun!” 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *