• |
ide | kryesore

Ekzekutohet me armë zjarri kunati i Lul Kullës në Shkodër

Kryesore, Lajme



Një atentat me armë zjarri ndodhi ditën e sotme në Shkodër. Një 53-vjeçar u ekzekutua në lagjen “Guerrile” dhe viktima u identifikua si shtetasi Fatbardh Lici. Ai ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një lokal në rrugën kryesore të unazës perëndimore, kur është qëlluar për vdekje. Plot 15 plumba janë shkrepur në drejtim të tij nga autori që mësohet se ka qenë i maskuar dhe që menjëherë më pas është larguar nga vendngjarja, duke shfrytëzuar daljet e shumta që ka unaza me rrugë të tjera dytësore të qytetit.

Nuk dihet ende nëse arma e përdorur në vrasje ka qenë pistoletë apo kallashnikov, por provat balistike do ta përcaktojnë thonë burime policore. Pak minuta pas ngjarjes policia bëri me dije se gjeti në lagjen “Dobraç” një automjet tip Benz duke u djegur, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autori për të lëvizur në momentin e krimit. Forcat e policisë bënë krehjen e zonës dhe ngritën disa pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Disa bizneseve në zonën ku ndodhi ngjarja do tu sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka të tilla.

Megjithatë policia po ndërton skemën e ngjarjes, bazuar edhe në dëshmitë e personave që kanë qenë në zonë në momentin e vrasjes, ku disa shtetas janë shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje. Zyrtarisht policia nuk jep asnjë të dhënë mbi pistën e hetimeve që po kryen për këtë vrasje, edhe pse nga burime të brendshme mësohet se kryesorja është ajo e hakmarrjes. Dyshohet se Fatbardh Lici në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Kurmemaj ishte i njohur edhe me mbiemrin Gjepali.

Pista kryesore dhe e vetme e vrasjes së sotme në lagjen Guerile në Shkodër, mbetet gjakmarrja mes dy familjeve Kurmemaj dhe Lici. Ky i fundit dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor në ekzekutimin e Kurmemajt. I ekzekutuari sot, Fatbardh Lici nuk është një emër i panjohur për policinë jo vetëm për dyshimet në përfshirje në një vrasje të ndodhur 7 vite më parë, por edhe për shkak të lidhjeve familjare.

53-vjeçari është vëllai i Mustafa Licit, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe kryetar i partisë “Mendimi i Djathtë Liberal”, si dhe kunati i biznesmenit Lulzim Kulla, (burri i motrës) i cili aktualisht ndodhet në burg. Kulla u arrestua pak ditë më parë në Kakavijë, pasi tentoi të kalonte në Greqi me një pasaportë të falsifikuar. Ndaj Kullës pak muaj më parë u bë një atentat me eksploziv ku mbeti i plagosur. Rreth 500 gramë C4 u vendos në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së tij, ndërsa shpërthimi i shkaktoi djegie në 25 për qind të trupit.

 

 



2 Comments

  1. Rregulloje lajmin, lapsi.al asht portal serioz nuk i falet me ba gazetari me hamendje. Kurmema asht tjeter personazh, dhe Gjipali asht tjeter personazh…

  2. Ok me gjithe ‘perkushtimin’ e policise, po kjo foto e fundit me uniforme si per mbrotje radioaktive nuk i duket e tepert? Ka frike eksperti mos i boe ndonje qime floku dhe ngaterrogen hetimet? Ai qe ka be atentatin paska qene me makine e jo ne tavoline.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *