• |
ide | kryesore

Përplasja/ Gjykatësit që vunë përballë të huajt e ONM kundër shqiptarëve të vetingut

Kryesore



Rast pas rasti në disa vendime të vetingut, ka nisur të bëhet e qartë një ndarje mes shqiptarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të huajve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Konflikti mes dy palëve e ka gjenezën në standartet e dyfishta, që po përdorin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjykatës dhe prokurorë të caktuar. Ata herë po i ngushtojnë dhe herë po i zgjerojnë filtrat e vetingut, sipas një ndikimi të jashtëm, që është i pamundur të fshihet më.

Kontradiktat e para dolën për dy gjykatësit që janë në majat e piramidës së gjyqësorit, Bashkim Dedja kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë.

Të dy patën iluzionin se e kaluan paq vetingun, deri kur ekspertët e huaj thanë se nuk ishin dakort me vendimet që i rikonfirmonin në detyrë.

Faktikisht, problemet me justifikimin e pasurisë së secilit nuk kishin munguar në dëgjesat e vetingut.

Për Bashkim Dedjan nuk bindën disa borxhe të marra nga i vëllai dhe nga kunati. Me paratë  e marra borxh, gjykatësi kishte blerë dy apartamente.

Kurse Xhezair Zaganjori doli se kishte 1 miliard lekë pasuri në total. Vetë kreu i Gjykatës së Lartë pranoi se kishte bërë disa kontrata fiktive duke shmangur pagesën e tatimeve.

Të dy u konfirmuan në detyrë sipas vendimit që dha Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në fakt, kalimi i vetingut nga Dedja dhe Zaganjori ishte surprizë jo aq për mospërputhjen e të ardhurave, sesa për atë që përfaqësonin këta gjykatës. Institucionet që ato drejtonin kishin degraduar në dy gërmadha, si pasojë e korrupsionit dhe ryshfetit që kishte përfshirë gjykatësit.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë nuk po e kalonin vetingun në masë, sepse nuk justifikonin pasurinë. Të tjerë u tërhoqën kur panë se me pronat, paratë, shpenzimet dhe apartamentet që kishin, po shkonin drejt shkarkimit dhe diskretitimit publik.

Dhe në këtë shpërthim pasurish korrupsioni është e pashmangshme pyetja se si i kishin drejtuar kryetarët këto gjykata, pa u bërë pis nga ryshfeti dhe paraja e pisët që shembi institucionet?

Misioni i ONM, kundërshtoi edhe konfirmimin në detyrë të ish kreut të Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, për të cilin erdhën informacione zyrtare se kishte pasur kontakte me element të inkriminuar. Megjithë problemet që shfaqi në pasurinë e tij, sërish anëtarët e KPK-së mbyllën një sy dhe ndryshe nga shumë raste të tjera e konfirmuan të detyrë.

Juristët ndërkombëtarë vazhduan më tej. Ankimuan edhe rastin e gjykatësit të Administratives, Gentjan Medja dhe atë të prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani. Me 5 raste të vëna në diskutim, juristët e huaj i dhanë një goditje të fortë besueshmërisë së vendimeve të KPK-së.

Në fillim të procesit, filtrat e vetingut ishin pakalueshëm për pasuri apo gjetje të përmendura si këto më lart. Fillimisht u pa se vetëm gjykatës apo prokurorë me pasuri modeste mund të penetronin në anën tjetër, duke vënë në alarm të gjithë ata që prisnin në radhë.

Kriteret nuk u lëkundën as nga lotët e prokurores Besa Nikëhasani që betohej se kurrë në jetën e saj nuk kishte marrë ryshfet, as nga paralajmërimet e avokatit Ardian Visha me këto kritere nuk do mbetej gjykatës dhe prokuror në këmbë, dhe as kërcënimet e prokurores Rovena Gashi se do të ankohej në Strasburg.

Ndëshkimi nga vetingu qe i ftohtë fillimisht, duke mos toleruar as më të voglën shkarje në kontrollet e pasurisë, ndërsa rast pas rasti, u pa se për gjykatës apo prokurorë të caktuar problemet me pasuritë apo kontaktet me krimin, nuk ishin një problem.

Presionet politike janë të forta. Këtë, e konfirmuan edhe ekspertët e huaj pak ditë më parë, kur dolën me një deklaratë. “ONM do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces. Çdo përpjekje për të influencuar procesin e vetingut, ose përpjekje për të intimiduar punën e institucioneve të vetingut, nuk do të tolerohen” thanë ekspertët ndërkombëtarë, për të nisur më pas serinë e denoncimit të vendimeve. që i konsiderojnë të padrejta.

Mbetet për t’u parë sa do të arrijnë ta ruajnë procesin të pandikuar nga faktorët politikë. Deri tani filtrat e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit kanë dalë nga shinat.© Lapsi.al



2 Comments

  1. Shyqyr qe qenkan keta te huajt qe po vejne paaaak drejtesi , se te jete per keta tanet te gjithe gjobevenesit i kemi prape ne gjyqesor .

  2. Jo po kujtuan se do kalonin duke shkelur syrin. Prej koqesh kapini dhe shtrydhjani, si ja shtrydhen popullit ata per kaq e kaq vite. Per mendimin tim nuk jam me shume se 20 veta ata qe e meritojn ta kalojn vetingun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *