• |
ide | kryesore

Cungu u zgjodh për Europën, por po tregon mentalitet province

Sport



Duhej të ishte kaluar koha kur kërkohej fajtori kudo veç vetes, ku të gjithë të tjerët që të rrethonin nuk kishin bërë punën si duhet, kur justifikimet ishin prioritet në fazën e dështimit, duke iu kthyer historisë nga fillimi, pavarësisht se gjërat kanë evoluuar ndërkohë. Armando Cungu nuk ngjante aspak me trajnerin që u prezantua rreth një muaj më parë tek Kukësi. Atëherë mori në drejtim një skuadër, që ndoshta mund të mos ishte idealja, por që kishte në organikë lojtarë të rëndësishëm.

Kualifikimi në Maltë ndaj Valletës në Champions tregoi se me dorën e një trajneri që do të kishtë në avancë më shumë kohë për të punuar gjërat do të shkonin ndryshe. Barazimi në Loro Borici me Qarabag konfirmoi potencialin që kishte Kukësi, e që tekniku shkodran i elozhoi lojtarët, pa e menduar ndoshta, se do ti duhej ti “masakronte” dy javë më pas, kur në raundin e tretë të Europë League do të dërrmohej 5-2 nga Torpedo në Gjeorgji.

“Kukësi ka nevojë në çdo repart për të marrë njerëzit e duhur dhe jo për të mbushur radhët sa për të bërë 25 lojtarë. Kompozimi nuk është bërë në mënyrën e duhur. Nuk e di sesi, nuk më intereson sesi është bërë dhe se kush e ka bërë. Më mirë që t’i themi gjërat siç janë, sesa t’i kamuflojmë. Ky nuk është Kukësi që duhet të jetë” deklaroi shkodrani që bie ndesh parimeve të veta për të ruajtur gjithnjë një bosht në skuadër.

Sikur kjo deklaratë të ishte bërë në fillim do të ishte shumë më tepër Fair, pa lënë mënjanë se do të ishte shumë më e ndershme që me një gjendje kaq katastrofike sa e bëri Cungu, mund edhe të mos e kishte pranuar ofertën e verilindorëve.

Më shumë se sulm frontal ndaj ish-trajnerit të Kukësit, Peter Pakult, por edhe Drejtorit Sportiv, Nderim Nexhipi, me të cilin duhet të vazhdojë të bashkëpunojë, kjo e Cungut është një tentativë e gabuar për të treguar vlerë përmes justifikimit. Është e qartë se nëse e ke konsideruar lëvizje fatale ndryshimin e 14 futbollistëve nga sezoni i kaluar, atëherë nuk mund të pretendosh një eksod të dytë brenda një sesioni merkato.

Por ka edhe një anë tjetër të medaljes, nëse tekniku, që erdhi pikërisht për Europën, nuk kënaqet me kërkesën e tij, si do mundet të punojë me lojtarët që i konsideroi të mbaruar e të padenjë për Kukësin, apo edhe më tej…si do mundet ti shkojë përballë objektivit titull të kërkuar nga presidenca?



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *