• |
ide | kryesore

Nga Juventus tek Kukësi, Toure dhe Cuculi përforcimet për Europa League

F1, Sport



“Kukësi ka nevojë në çdo repart për të marrë njerëzit e duhur dhe jo për të mbushur radhët sa për të bërë 25 lojtarë. Më mirë që t’i themi gjërat siç janë, sesa t’i kamuflojmë. Ky nuk është Kukësi që duhet të jetë”, ishte deklarata e Armando Cungut pas 5-2 të pësuar në Gjeorgji përballë Torpedos. Askush nuk i gëlltiti lehtë konstatimet e teknikut shkodran, në një moment aspak të përshtatshëm. Nuk i pëlqyen tifozëve e aq më pak presidentit Gjici.
Shkundja në bisedën kokë më kokë ka ndodhur dhe nuk është rastësi prapaktheu i teknikut në lidhje më këtë cështje: “Nuk kam akuzuar asnjë lojtar. Nuk dorëzohem do e provojmë deri në fund”.

Kontradiktore po të mendosh që kanë kaluar vetëm tre ditë, e madje edhe dy blerjet e prezantuara sot nuk ishin bërë të ditura ende, kur shkodrani ndryshoi kursin.

E përforcoi edhe presidenti Gjici, çuditërisht babaxhan në këtë rast (vërejtja teknikut ishte tërhequr tjetërkund), madje një tentativë e lehtë mbrojtje, edhe pse në këtë rast nuk ka shumë për të mbrojtur. “Deklarata e Cungut nuk është ashtu siç e keni përkthyer ju. Ai e ka sqaruar dhe vetë” u shpreh Gjici, duke harruar se trajneri i tij nuk është më i huaj që duhet përkthyer.

Përpos tentativës për të mbyllur pa dëme carjen e shkaktuar nga deklarata e nxituar e teknikut, shkundja ka shërbyer edhe për tu rikthyer në shinat e objektivit kualifikim. 5-2 ndaj Torpedos mund të duket e vështirë në rezultat, por gjeorgjianët nuk është se janë profili ideal i skuadrës që nuk mund të pësojë 3, kur në shtëpi mori dy. Duhet vetëm Kukësi të mos pësojë e që ti realizojë të dyja Kukësi prezantoi dy blerjet e reja: Omar Toure dhe Ardian Cuculi.
Sulmuesi është huazuar nga Juventusi dhe do të bëhet një pikë referimi përpara bashkë me Reginaldon: “Është kënaqësi të jem këtu. E njoh këtë klub prej një muaji. Do të jem menjëherë në dispozicion të ekipit. Jam i vetëdijshm se duhet të luftoj për të siguruar vendin tim në fushë.” tha Toure.

Ish-mbrojtësi i Partizanit vjen me eksperiencë Europiane pikërisht për sfidën e kthimit të Europa League: “Kam fituar 2 trofe sezonin e fundit dhe kam ardhur këtu për të ndihmuar në arritjen e objektivave. Kukësi ka dëshmuar gjatë këtyreve viteve se është gjithmonë pretendente. Ekipi për këtë është ndërtuar. Jam rikthyer në Shqipëri sepse më bindi projekti i Kukësit” përfundoi Cuculi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *