• |
ide | kryesore

FSHF paralajmëron mediat, “pirateria do të ndëshkohet”

Sport



Pak orë para startit të kampionatit të ri të futbollit, për sezonin 2018-19 Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë aspak përdorimin e imazheve filmike të kompeticioneve të saj nga subjekte transmetues që nuk kanë lidhur kontratë me institucionin e futbollit.

Sigurisht, në plan të parë duket se do të kemi më pak pamje futbolli kombëtar në mediat elektronike, në kohën kur FSHF kujdeset vetëm për kërkesat, në mënyrë që të rritet inkasimi nga shitja e të drejtave të transmetimit, por nuk bën asgjë për ti garantuar komoditetin atyre për përdorimin e pamjeve filmike.

NJOFTIMI ZYRTAR I FSHF

Me fillimin e sezonit futbollistik 2018-2019, Federata Shqiptare e Futbollit i drejtohet të gjithë transmetuesve TV në vend, në rang kombëtar dhe lokal, në lidhje me përdorimin e sekuencave audio dhe video të kompeticioneve të saj, duke iu referuar aspektit ligjor për mundësimin e tyre.
FSHF, sipas legjislacionit në fuqi është zotëruesja e vetme e të gjitha të drejtave audiovizive të Kampionateve Kombëtare të Futbollit, si dhe të ndeshjeve të Ekipeve Kombëtare të futbollit, kjo, bazuar në nenet 15, 32 dhe 33 të Ligjit Nr.9376, datë 21.04.2005, “Për Sportin”.
Duke iu referuar pikërisht bazës ligjore në fuqi, FSHF bën me dije të gjitha mediat elektronike se asnjë subjekt transmetues nuk mund të përdorë këto të drejta në asnjë formë, apo kohëzgjatje, pa lidhur një marrëveshjeje kontraktuale me FSHF.
Për sezonin 2018 – 2019, për kampionatin Shqiptar të futbollit “Kategoria Superiore”®, dhe për kompeticionin “Kupa e Shqipërisë”®: FSHF është i vetmi subjekt që ka të drejtë të shesë të drejtat e sekuencave (highlights) audiovizive të ndeshjeve të këtyre aktiviteteve. Të gjitha mediat e interesuara për blerjen e sekuencave, për përdorim në edicionet informative apo emisionet sportive, janë të mirëpritura të kontaktojnë Departamentin e Marketingut pranë FSHF-së për të marrë informacionin e nevojshëm dhe për të lidhur kontratat respektive.
Nga ana e saj, FSHF në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, nuk do të lejojë në asnjë moment transmetimin e pjesshëm të asnjë sekuence audiovizive nga subjekte të paliçensuara. FSHF mbetet e hapur për të bashkëpunuar në këtë proces të rëndësishëm.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *