• |
ide | kryesore

Disfatë favoritësh, Plaku kthen fantazmat e kaluara të Tiranës

Sport



Tirana e pretendimeve ka marrë goditjen e parë në javën e parë. Superioria nuk është Kategoria e Parë dhe Ze Maria tani e provoi në kurrëiz të tij, përballë një kundërshtari në letër nga ato që duhet të luftojnë për mbijetesë, por në fushë dinjitoze dhe cinike. Plaku vendosi ndeshjen në favor të Kamzës 0-1, duke bërë prekjen decizive një minutë nga koha e rregullt. Kushedi cpo mendojnë tani në Kukës, për sulmuesin që e morën, e neglizhuan, e përcmuan dhe ja dhuruan edhe një herë Kamzës.

Tre pikë si fillim nuk janë keq, por Superioria po tregon një tjetër detaj: paparashikueshmërinë. Dy ndeshje e dy fitore të skuadrave udhëtuese, dy fitore të skuadrave më pak të kuotuara, që nisin kampionatin me këmbën e duhur.

Bardheblutë përvec spektaklit karakteristik të tifogrupit të tyre Fanatics, të ndjeshëm mbi cdo cështje që prek kryeqytetin, nuk mundën ti japin ritmin e duhur debutimit të tyre në Selman Stërmasi. Braziliani për të cilin u përfol se nuk i kishte raportet e mira me presidentin Halili, por që më pas firmosi një kontratë luksi me Tiranën, duhet të rimendojë strategjitë. Tani është edhe pak më e vështirë, sepse mbi vete e në raport me drejtuesit e klubit do të ketë edhe një humbje të padëshirueshme.

E filloi disfatën e favoritëve Luftëtari në Gjirokastër. Nuk bën asgjë si duhet Kostic, që kapet me vapën, a thua se për Kastriotin, fitues 0-1 nuk kishte të njëjtat kushte klimaterike. Kostic në fakt vazhdon të gabojë si në Europa League dhe ndoshta nuk e ka të qartë se pankina në Shqipëri lëkundet edhe me tre ndeshje në detyrë.

Bluzeinjtë janë mundur nga një skuadër, që mund të ketë “parkuar vërtetë autobusin” sic u shpreh tekniku pas ndeshjes, por luajti ndeshjen e tij, me ide, qartësi dhe një trajner që ndryshe nga ai i Luftëtarit, dinte shumë mirë cfarë po kërkonte.

3 pikët e para për Kamzën dhe Kastriotin që i bashkohen Skënderbeun në krye të klasifikimit. Statistikat nuk janë shumë premtuese për anën spektakolare 3 gola të shënuar në 3 ndeshjet e para, por ndoshta është vetëm fillimi, gjë që e urojnë me zemër (jo për golat por rezultatet) në Tiranë e Gjirokastër.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *