• |
ide | kryesore

ANALIZA/ Çfarë po ndodh në Rumani dhe pse mijëra njerëz po protestojnë në sheshe

Planet



Çfarë po ndodh në Rumani? Pse mijëra njerëz dalin nëpër rrugë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, e akuzuar për korrupsion? Është nga shkurti i vitit 2017, thonë gazetat, që qytetarët rumunë protestojnë në mënyrë të përsëritur kundër qeverisë socialdemokrate pasi “pengon luftën kundër korrupsionit”. Atëherë çfarë ka ndodhur?

Në shkurtin e vitit 2017, Gjykata e Apelit e Bukureshtit ka dënuar dy izraelianë të Black Cube, një “kompani private inteligjence” që përdor agjentë të Mossadit, elementë të spikatur të Tsahalit – deri pak kohë më parë kishte si President Nderi Meir Dagan, ish shefin e njohur të Mossadit – dhe furnizon klientelën e saj ndërkombëtare me “aktivitete inteligjence, gjetje provash (edhe nëpërmjet profilimit të subjekteve të interesuara dhe përdorimit të agjentëve nën koperturë). Pastaj aktivitete të llojit asset tracing (kërkimi parash), shërbime konsulence strategjike në kundërshti multijuridiksionale”. Domethënë një agjenci për të cilën nuk do shumë punë për ta kuptuar.

Në Bukuresht, të dy punonjësit e dënuar quhen Ron Weiner dhe David Geclowiz: i kishte arrestuar më pak se një vit më parë DIICOT-i (akronim i Drejtorisë Qendrore për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit), me akuzën se kishin kryer veprime të finalizuara për të siguruar informacione me të cilat të diskreditonin Laura Codruța Kövesi, prokurorja në krye të DNA-së (akronim i Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit rumun), një “institucion i krijuar përpara hyrjes në Bashkimin Europian me objektiv luftimin e korrupsionit të nivele të larta. Kövesi ishte tashmë e njohur në Rumani: ishte një lloj gjenie. Në vitin 2006, kur ishte vetëm 33 vjeç, ishte bërë Prokurorja e Përgjithshme e parë femër në historinë e vendit dhe më pas është transformuar në simbolin e luftës kundër korrupsionit të egër qeveritar”.
Eksponentë e një Mani Pulite rumune kjo Laura? Le ta lëmë për një moment këtë pistë dhe le të shikojmë pak dy personat e sipërpërmendur. Në fakt, të dy ata u shpallën fajtorë, u dënuan me disa vite secili, por më pas u ndihmuan nga një ndërhyrje e Izraelit, që u ka siguruar lirimin dhe kthimin në ardhe. Kush i kishte rekrutuar për të kërkuar pisllëkun pas Laurës? U fol për dy prej “padronëve të fuqishëm të mediave” rumune ose “rumunë” në thonjëza: që janë përkatësisht Sebastian Ghita, padron i kanalit televiziv të lajmeve Romania TV news station, Dan Voiculescu i kanaleve televizive Antena TV Group dhe të lajmeve Antena 3, Dan Adamescu, pronar i gazetës “Romania Libera”, Adrian Sarbu, që ka në pronësi Mediafax Group, Sorin Ovidiu Vantu, ish padron i Realitatea TV, dhe Dan Diaconescu i OTV-së, i quajtur “televizioni i parë tabloid (skandalistik) në Rumani.

Të gjithë këta Padronë të Diskutimit kanë qenë subjekt investigimesh nga ana e DNA-së së drejtuar nga Laura Codruta dhe disa prej tyre janë dënuar.

Prokurorja Laura ka fituar vlerësimin e popullsisë, e dëshpëruar nga sa duket prej klasës politike më të korruptuar që ekziston. Kështu, njerëzit nuk e kanë pritur mirë vendimin e 9 korrikut të 2018 të marrë nga ana e Presidentit Klaus Johannis, me anë të cilit ka shkarkuar prokuroren Laura: Johannis i është dashur që të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që kishte sanksionuar shkarkimin e Laura Kovesi. Kjo – të mbahet mirë parasysh – pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Tudorel Toader, që e akuzon prokuroren Laura se kishte shkuar përtej mandatit të saj dhe se “nuk kishte respektuar autoritetin e Parlamentit”. Ministri Toader ka qenë vetë një ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese; është bërë Ministër i Drejtësisë pasi paraardhësit të tij Florin Iordache të Partisë Socialdemokrate i është dashur që të japë dorëheqjen si pasojë e protestave të dhunshme të 2017 në Rumani, të shpërthyera pas tentativës së tij për të modifikuar Kodin Penal në drejtimin e depenalizimit të krimit të korrupsionit.

Në Rumani leximi i asaj që ndodh komplikohet akoma më shumë prej faktit që presidenti Johannis, i cili ka provuar t’i rezistojë Gjykatës Kushtetuese dhe ta mbajë Laura Kovesi në postin e saj, është një liberal i djathtë, antiPutin, që pëlqehet nga Bashkimi Europian, ndërsa qeveria e korruptuar socialdemokrate po kërkon të afrohet me Moskën. Presidenti Klaus Johannis e kishte dënuar operacionin e policisë si të ekzagjeruar dhe ka kërkuar një hetim gjyqësor lidhur me incidentet. Ministri i Brendshëm Carmen Dan e ka justifikuar të shtunën në një konferencë për shtyp në Bukuresh procedurën e policisë me faktin që ajo ishte përballur me kriminelë të dhunshëm të rrezikshëm.

Gjë që është e vërtetë: për herë të parë, midis turmës që thërriste “Dorëheqje” për qeverinë (jo vetëm prej korrupsionit, por për reforma fiskale, të pensioneve dhe të sigurisë sociale) dhe për “Më shumë Europë”, janë shfaqur grupe të mirëorganizuara, që kanë ngjallur reagimin e policisë. Se çfarë kanë qenë, nga kanë dalë, kush i ka organizuar, mbetet për t’u parë.

Tani qeveria social – liberale po mendon që të ngrejë një padi kundër Presidentit europeist Johannis me akuzën për tradhti të lartë. Le të presim ditët në vazhdim… /bota.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *