• |
ide | kryesore

Kukësi e Laçi barazojnë, trajnerët justifikojnë pikën me merkaton

Sport



Barazim 1-1 mes Kukësit e Laçit skuadrat që kishin nisur përgatitjet më herët se të tjerët e duhet të ishin në nivel forme të mirë, por që në Elbasan Arena nuk është se shfaqën kualitet për të impresionuar. Teknikët e vunë të gjithë theksin tek merkato, Cungu kërkon lojtar kudo, Mergjyshi në sulm e në mbrojtje, duke harruar se janë vetëm 12 ditë deri në fund të mbylljes së dritares dhe këto justifikime duhet të ishin menduar para se të pranoheshin pankinat.

Lodhja fizike dhe shpenzimi i energjive në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë të Europa League kundër Torpedos mund të kenë ndikuar në uljen e ritmit të Kukësit, me pankinën e shkurtër që nuk e lejon, sipas Cungut, freskimin e skuadrës për debutimin në kampionat.

“Ekipi nuk është se nuk ka luajtur futboll, por kemi shpërdoruar shumë, edhe në ndeshjet në Europë. E dimë të gjithë që ka nevojë për përforcim. Ka pak ditë në dispozicion për blerje cilësore, por gjithsesi kemi shpresë deri në fund” pohoi tekniku shkodran.

Një pikë nuk është ajo që mendonte presidenti Gjici, por ndoshta është më e preferuar nga kurbinasit: në transfertë kundër nënkampionëve. Por edhe Mergjyshi e ka justifikimin gati dhe kërkesën për drejtuesit: “Unë kam kërkuar një lojtar me eksperiencë në qendër të mbrojtës, sepse kiliani nuk është akoma gati. Tani po luajmë në qendër me Fangajn i cili është lojtar krahu. Na duhet edhe një sulmues, pasi Xhixha është 19-vjeç dhe kampionati është i gjatë” sqaroi Mergjyshi.

Bardhezinjtë kanë humbur Rexhinaldon pikërisht ndaj rivalëve të Kukësit, por mozambikasi nuk është se bëri dot diferencën kundër ish-skuadrës së tij.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *