• |
ide | kryesore

Policia shqiptare reagon për arrestimin e Edmond Begos: Nuk rezulton në kërkim

Lajme, Të fundit



Policia e Shtetit reagoi për herë të parë pas arrestimit të biznesmenit Edmond Bego në Greqi për llogari të shtetit italian, pasi rezulton i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, kontrabandë dhe trafikim të drogës.

Ndonëse ka pasur akuza nga opozita se pse nuk është arrestuar nga policia shqiptare biznesmeni me disa emra si dhe i afërm i Aldo Bares, Policia sqaron se pas verifikimeve rezulton shtetasi EDMOND BEGO, alias MANOLI BEGO, alias SAJMIR SINA, alias BELUL GJATARI, alias Mond BEGA, 48 vjeç, nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.

Gjithashtu nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, Bego ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë.

NJOFTIMI: 

Për dy ditë me radhë ka një debat publik, lidhur me ndalimin e shtetasit Edmond Bego në Greqi. Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit sqaron se në dosjen e Kërkimit dhe Arkivës së Interpolit, shtetasi shqiptar EDMOND BEGO, alias MANOLI BEGO, alias SAJMIR SINA, alias BELUL GJATARI, alias Mond BEGA, 48 vjeç, nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.

Sqarojmë se më herët, shtetasi Bego është arrestuar në datë 24 dhjetor 2009 në Tiranë për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2009, nga Gjykata e Apelit të Torinos.

Nga Prokuroria e Përgjithshme në datë 11 shkurt 2010 në Policinë e Shtetit ka ardhur kërkesa për njohje e vendimit penal italian nr.1735, datë 22 prill 2008, i formës së prerë të vitit 2009 dhënë nga Gjykata e Apelit Torino, Itali.

Me vendimin nr. 807, datë 15 shtator 2010, Gjykata e Lartë në Shqipëri ka bërë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ka dënuar përfundimisht me 4.4 vite burg këtë shtetas. Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht. Pas këtij vendimi, Policia e Shtetit nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi.

Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasi në fjalë ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë. Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, dhe në datë 13 korrik në vitin 2018. Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga PKK Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur.

Pra, për këtë shtetas nuk ka patur asnjë urdhër tjetër  ndalimi ndërkombëtar përveç urdhërit të ndalimit të ekzekutuar nga Policia e Shtetit në vitin 2009,  që do të vinte në lëvizje Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, apo ndonjë kërkesë nga autoritetet italiane dhe misionet e tyre policore në Tiranë, ndryshe nga sa u deklarua nga subjekti politik Partia Demokratike.

Policia e Shtetit apelon çdokënd t’i drejtohet asaj për informacion të saktë dhe zyrtar, duke shmangur keqpërdorimet për interesa politike të ditës.



1 Comment

  1. Policia tone eshte kthyer si nje impiant i pastrimit te ujrave te zeza.Ke nuk pastruan keta -Tahiret ,Geronet dhe ja tani Begon ,na mbetet edhe Balili-po ky ka nje status me te larte se eshte brenda vendit dhe kjo polici nuk e di ku fshihet.Sepse eshte polici e lidhur me trafikantedhe kriminelet .Cfare prisni ti nxjerri te kallaisur?Jo ore jo te paster si kristali ti nxjerrin se jane mbeshtetja me e madhe e kesaj qeverie drogmenesh.Tani kur te akuzojne policine greke qe ka bere arrestim te pa ligjshem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *