• |
ide | kryesore

Analiza e “Der Standard”/ Beteja e Rusisë, Kinës, SHBA dhe Turqisë për Ballkanin

Kryesore, Lajme



Rusia nuk e dëshiron anëtarësimin e Maqedonisë në NATO kështu që po përpiqet me të gjitha mënyrat për të prishur marrëveshjen historike mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Së fundmi, kryeministri maqedonas Zoran Zaev është shprehur se njerëz të botës së biznesit në Greqi janë solidarizuar me “çështjen ruse” dhe po paguajnë për të nxitur protesta në Maqedoni.

Zyrtarë të ambasadës ruse në Athinë kanë kërkuar të bëjnë për vete biznesmenë, politikanë dhe madje edhe priftërinj të malit Athos që me anë të parave të ngrenë zëra kundër zgjidhjes së kësaj çështjeje. Athina i ka zbuar disa diplomatë të tillë që në korrik. Moska në krahun tjetër largoi disa diplomatë grekë. Athina tërhoqi ambasadorin e saj.

Bashkëpunimi mes SHBA-ve dhe Rusisë që solli një poster në 2016-ën në Malin e Zi nuk është hequr: “Të shoh si konkurrent”.

“Dëshirojmë tu kujtojmë miqve tanë rusë se asnjë vend në botë nuk do të toleronte tentativa të a) korrupsionit të funksionarëve qeveritarë b) të minimit të politikës së tyre të jashtme dhe c) të ndërhynin në punët e tyre të brendshme” – thuhet në faqen zyrtare të ministrisë së punëve të jashtme të Greqisë.

Ambivalenca e Shteteve të Bashkuara.

Nëse shihni investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në juglindje të Europës kanë qenë gjithmonë të lidhura me Bashkimin Europian atje ku influenca e Perëndimit është ende e fortë. Por, shumë vende nuk janë integruar ende në BE. Në këtë boshllëk, Rusia po përpiqet të shtrijë influencën e saj për arsye gjeopolitike. Shefi i Qendrës për Europën Juglindore në Universitetin e Graz, Florian Bieber thotë se kjo do të bëhet realitet nga mungesa e impenjimit të BE-së dhe ambivalenca e SHBA-ve.

“Rusia po përdor dobësinë e të tjerëve” – thotë Bieber duke shtuar – “lëvizja e rusëve në Greqi tregon se Moska po bëhet gjithnjë e më shumë nervoze. Marrëveshja aktuale mes Greqisë dhe Maqedonisë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do ta privonte Rusinë nga influenca e saj në rajon duke i mbetur vetëm Bosnja për të bërë keq”.

Në Bosnje Hercegovinë, ky “absurditet” është dëgjuar prej shumë kohësh dhe me zë të lartë. Vasali më i mirë i Putin në Ballkan është shefi i partisë boshnjake SNSD, Milorad Dodik, që po bën gjithçka për të penguar avancimin e vendit në NATO dhe në BE. Dodik viziton sa herë të dojë shefin e Kremlinit. Në janar nderoi një grup motoristësh nacionalistësh rusë “Nachtëölfe”. Në Banja Luka u ndërtua një qendër kulturore ruso-serbe.

Por edhe qeveria turke është aktive në Bosnje Hercegovinë. Duke përdorur media si Stav dhe agjencinë e lajmeve Anadolu ka shtuar sulmet kundër klerikut Fetullah Gülen. Shkollat e kësaj lëvizjeje janë marrë tashmë nga një fond amerikan për shkak të presionit të qeverisë turke. Edhe Baky Izetbegović, shefi i partisë më të madhe boshnjake SDA, është tashmë nën urdhrat e tij. Gjatë vizitës së fundit të Presidentit turk në Sarajevë në maj, Izetbegović i tha Erdoganit se ishte “i dërguar i Allahut”. Analistët flasin për një “turkifikim” të boshnjakëve nga ana e Izetbegović.

Me shpejtësi edhe në Kosovë

Turqia financoi restaurimin e xhamive otomane, por edhe disa politika kulturore. Regjimi i Ankarasë ka aktualisht një akses të madh në Kosovë për shkak të strukturave shtetërore të dobëta. Në mars, 6 qytetarë turq të afërt me lëvizjen Hizmet të Gülen u rrëmbyen nga shërbimet sekrete turke në Prishtinë. Megjithëkëtë, Bieber konfirmon se Turqia është tashmë me e përmbajtur në luftën kundër Gülen në rajon pasi ka humbur paksa terren.

Gjithsesi “burrat e fortë” si Putin apo Erdogan do të preferonin të përforconin dominimin autoritar dhe korrupsionin sesa demokracinë dhe ekonominë e hapur në Ballkan. Kina është gjithnjë e më e impenjuar në aktivitete ekonomike në këtë rajon pasi e sheh atë si një portë për të hyrë në Europën Perëndimore. Investimet e huaja direkte janë ende të papërfillshme, por jo projektet infrastrukturore. Këtu Pekini e sheh si një betejë me BE-në si gjeo-ekonomike dhe jo gjeostrategjike. Kina ka marrë portin e Pireut dhe pjesë të rrjetit elektrik. Gjithsesi në Greqi në 10 vitet e fundit investitori më i madh është Gjermania. ©LAPSI.al përshtati nga gazeta austriake “Der Standard”



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *