• |
ide | kryesore

Partizani, Jovanovic dhe lëvizjet e gabuara që pështjellojnë të kuqtë

F1, Sport



Divorcet nuk janë asnjëherë të qeta, ose të paktën në pjesën më të madhe të rasteve, ndaj dhe pas largimit nga Partizani i serbit Marko Jovanoviç, pjesëtar i stafit teknik të të kuqve, nuk kanë munguar deklaratat therëse e akuzat që prekin mbi të gjitha imazhin e një klubi të rëndësishëm në Shqipëri.

Serbi ka shigjetuar klubin për mënyrën si u sollën me të dhe direkt teknikun Skënder Gega, që ishte edhe njeriu që vendosi veton për largimin e Jovanovic, si barrë e shtuar financiare e panevojshme. E për këtë Gega ka marrë përcaktimin e Jovanovic si racist, duke bërë që Partizani të ndërhyjë në cështje, për të sqaruar pozicionin e tij dhe të trajnerit.

“Klubi sqaron në lidhje me deklaratat e dhëna nga ish-pjestari i stafit teknik, Marko Jovanoviç. Klubi bën të ditur se largimi i zotit Jovanoviç nga detyra video analistit, ishte një vendim i përbashkët i drejtuesve dhe trajnerit Gega. Klubi e falënderoi publikisht zotin Jovanoviç për punën gjatë qëndrimit 6 mujor si pjesë e stafit teknik të ekipit” shkruhet në komunikatën për shtyp të të kuqve.

Por cështja ka shkuar larg tashmë dhe për Partizanin dalja në kundërsulm nuk mund të mos ishte opsion: “Por, klubi shpreh zhgënjim dhe indinjatë për deklaratat e nxituara, jo korrekte dhe jo profesionale të zotit Jovanoviç dhe i hedh poshtë ato, si të dyshimta dhe të pavërteta. Me këtë rast, klubi konfirmon se trajneri Skënder Gega gëzon besimin e plotë të drejtuesve dhe të ekipit”, – thuhet në komunikatë.

E gjithë cështja është se të kënaqur e të pakënaqur, në një vorbull të pakontrolluar lëvizjesh, do të ketë gjithnjë. I gjithë pështjellimi në kampin e kuq ka nisur që me projektin ambicjoz, por të përfunduar me një farsitet, të lidershipit të Luciano Moggit dhe gjithë stafit italian. Këtu përfshihet edhe cështja Edgar Çani, “milioneri” që ka luajtur më pak edhe se rezerva më pak e përdorur e Partizanit.

Largime të nxituara, afrime të pastudiuara, përfshirë edhe 6-mujorëshin Jovanovic e natyrisht në fund ajo që dihet është se ata që janë të pakënaqur do të vjellin vrer… Nuk ishte momenti i duhur që Partizani të trazohej edhe nga faktorë jashtë fushe: starti me humbje i kampionatit, dalja që në raundin e parë në Europa League dhe një merkato që nuk është se i ka përmbushur plotësisht dëshirat e Gegës, kanë nevojë për qetësi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *