Në postimin e mëngjesit kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ti urojë besimtarët myslimanë për Kurban Bajram me projektet për rimëkëmbjen e disa xhamive, si ajo e Et’hem Beut në Tiranë, xhamia Mbret dhe ajo e Beqarëve në Berat, etj.
“Mirëmëngjesi dhe me këto pamje nga kantieret e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin që janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar Kurban Bajramin”, shkruan Rama.
Po ashtu edhe kreu i PD-së Lulzim Basha ka uruar të gjithë shqiptarëve festën e Kurban Bajramit duke u shprehur se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti.
“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe shqiptarëve kudo ku janë, Gëzuar Kurban Bajramin! Sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mija shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit. Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Basha.