• |
ide | kryesore

Kryqëzohen Skënderbeu e Partizani: Logjika absurde e Disiplinës më mirë pa tifozë se me incidente

F1, Sport



Nuk ishte mënyra e duhur për të nisur kampionatin. Incidentet në ndeshjen hapëse mes Skënderbeut e Partizanit (duke shtuar mungesën e forcave të rendit në shkallët e stadiumit), ishin të shëmtuara dhe të dënuar nga të gjithë. Por Disiplina edhe këtë herë dënoi klubet dhe jo ata që shkaktuan incidentet. Në këtë pikë ajo që nuk po kuptohet (më shumë nga institucioni që drejton futbollin) është se në 16 vitet e mbretërimit të presidentit Armando Duka shohim gjithnjë e më shumë ndeshje pa tifozë dhe vazhdueshëm incidente. 5 ndeshje për Skënderbeun dhe gjobë, 4 për Partizanin praktikisht një fazë loje pa mbështetësit e tyre: përfitimet janë të rivalëve, penalitetet për klubet, ndërsa tifozët presin fundin e dënimit, ku shumica dërrmuese e tyre është e pafaj. Shqetësues janë incidentet, jo më shumë se në cdo vend tjetër të kontinentit, por më shumë problematike është logjika absurde e FSHF dhe Disiplinës së saj, që më mirë i sheh stadiumet bosh, se të ndryshojë sjellje….

Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 22.08.2018

1.Zyrtari i KF “Laçi”, Pashk Laska për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu” e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, në bazë të nenit 56/1/a) të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet. Në bazë të nenit 20, zyrtarit i ndalohet hyrja dhe qëndrimi në dhomat e zhveshjes, territorit përreth fushës së lojës dhe stolit të rezervave.

2.KF “Tirana”, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjelljes së gabuar të spektatorëve do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplines Sportive.

3.FK “Kukësi”, paralajmërohet se në rast përsëritje të reagimeve paragjykuese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplines Sportive.

4.KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër FK “Partizani”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqindmijë) lek dhe zhvillimin e 5 (pesë) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.

5.FK “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të ndeshjes kundër KF “Skënderbeu”, në bazë të nenit 66/1 dhe 66/3/b) të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) lek dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.

6.Mos shqyrtimin e kërkesës së lojtarit të KF “Vora”, Artur Sejdini, duke mos qënë kjo kërkes në kompetencë të Komisionit të Disiplines Sportive.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *