• |
ide | kryesore

Idrizi kundërshton Kukësin dhe Flamurtarin: “Bojkot bëhet kur cënohet gara”

Sport



Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, beson se është koha të mos ketë polici në stadiume, pikërisht në kohën kur prezenca ose jo e policisë së shtetit në shkallët e stadiumeve, ka ndarë në dysh opinionet e klubeve të futbollit: “Forca e ligjit dhe jo policia duhet të diktojë sjelljen e njerëzve” beson kreu i klubit vlonjat, duke parë me optimizëm zgjedhjen me ‘stewart” si ndodh në të gjithë stadiumet e Europës.

“Duhet të heqim dorë nga prania e policisë së shtetit në stadiume -komenton Idrizi. – Kjo nuk është një zgjidhje e FSHF, por tashmë një domosdoshmëri. Ne nuk duhet të kemi frikë nga prania e uniformës së policisë së shtetit në stadiume, por nga forca e ligjit. Eshtë një moment kur dicka e tillë duhet të ndodhë dhe në stadiume”.

Idrizi ka kundërshtuar hapur idenë e bojkotit të kampionatit, hedhur së fundmi nga presidenti i Kukësit Gjici dhe ai i Skënderbeut Takaj, duke argumentuar se kjo gjë mund të ndodhë nëse prishet gara dhe jo sepse në stadium duhet të jetë policia .

“Bojkot? Nëse duhet të vendosim për bojkot, duhet të vijë sepse cënohet gara, ose kur prishen rregullat e lojës. Kur shiten apo blihen ndeshje, kur gjyqtarët vijnë të parapërgatitur për një ndeshje, apo me xhepat plot për të përcaktuar një rezultat, por jo sepse duhet të jetë prezente policia e shtetit” u shpreh Idrizi.

Padyshim që prania e “stewart” në stadiume ka një kosto shtesë, ndoshta të papërballueshme për klubet, dhe kjo është ajo cfarë duhet zgjidhet, por Idrizi mendon se kjo gjë nuk duhet të ndikojë për të rrëzuar një ide, për të cilën ka ardhur koha.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *