• |
ide | kryesore

Tirana copëtohet, mes kontradiktave në shtëpi dhe një trajneri që i tundet pankina

Sport



Ishte një ndeshje deçizive për të dyja skuadrat, por në fund ai që del i fituar ishte Kukësi dhe Armando Cungu. Në presion bëhen gjithnjë gjërat më të mira dhe tekniku shkodran e mori forcën nga stadiumi i shtëpisë Loro Borici, por edhe nga një kundërshtar që e nisi ndeshjen me gabime, nga ata që kushtojnë.

Reginaldo ishte protagonisti absolut i ndeshjes me tre gola, i pari tregolësh me fanellën e Kukësit për mozambikasin, por paqartësitë difensive bardheblu ishin katastrofike. Goli i minutës së dytë, që dëshmoi edhe drejtimin që do të merrte ndeshja, erdhi nga një vendosje e pafalshme e prapavijës së Ze Marias, që lejoi të kapej në kundërsulm pas 120 sekondash. Më keq se kaq…

Kukësi cinik por eskpert për Tiranën e brishtë mjaftoi të dominonte rezultatin, sepse për sa i përket lojës edhe Tirana bëri pjesën e saj. Reginaldo ndëshkoi cdo herë që doli përballë Likës, madje duke goditur edhe në atë pak shpresë që iu krijua Tiranës nga goli i Mucit. E megjithatë, kjo fitore nuk e bind Cungun të shprehet se skuadra e tij është për titull: “Të gjithë janë për titull po ti dëgjosh dhe unë nuk dua të jem në të njëjtën deklaratë – tha Cungu pas ndeshjes. Kjo fitore është e rëndësishme dhe duhet të vazhdojmë kështu nëse duam që të luftojmë për titull. Kemi bërë mirë dhe Reginaldo na ndihmoi shumë, sidmos me golin e tretë që nuk e lejoi Tiranën të besonte”.

Tirana edhe në vigjilje e kishte atmosferën të tensionuar, për shkak rezultatesh të munguara, por edhe për disa debate më tepër mes trajnerit dhe lojtarëve. Nuk ka qetësi në kampin e 24 herë kampionëve të ndarë në fronte brenda klubit, por edhe në shkallët e stadiumit.

Sherri i shpërthyer mes tifozëve të Tiranës, pas koreve të “Tirona Fanatics” kundër presidentit Halili, që solli edhe përleshjen me ata që nuk e pëlqyen kontestimin ndaj numrit 1 të klubit, tregon se Tirana është e copëtuar dhe duhet më shumë se një fitore (që edhe ajo mungon) për të qepur të carat.

Tre zëvendësime në pjesën e dytë, me rifillimin e lojës, është një tjetër shpjegim që Ze Maria duhet ta japë sepse në rastin e parë mund të jetë zgjedhje taktike e gabuar, ose përgjigje e munguar nga një pjesë e mirë e skuadrës. Për Tiranën nuk ka më justifikime: 1 pikë në 3 ndeshje është një mesatare për rënie nga kategoria dhe tekniku e di mirë këtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *