Janë plot 30 emra. Kjo është lista e të gjithë zyrtarëve që ishin në dijeni të kërcënimit që përbënte ura Morandi në Genova, një pjesë e të cilës u shemb më 14 gusht. Dokumenti u bë publik pas hetimeve që u kryen nga Guardia Di Finanza, ndërsa i janë referuar prokurorisë.
Bëhet fjalë për drejtues të grupit Atlantia që kishte si detyrë për mirëmbajtjen dhe kontrollin e autostradës si dhe përfaqësues të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transporteve. Deri më tani asnjë nga emrat në listë nuk është hetuar, ndërsa akuzat do të klasifikohen nga shpërdorimi i detyrës tek vrasjet e qëllimshme, apo fatkeqësi e qëllimshme.
Ndërkohë mes emrave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve është ai i Vincenzo Cinellit, drejtori i Përgjithshëm i Mbikëqyrjes, Bruno Santoro, kreu i divizionit Tekniko-Operativ i rrjetit të autostradës dhe Giovanni Proietti, drejtues i Divizionit të Analizave dhe Investimeve. Kujtojmë se tragjedia e rëndë i mori jetën 43 personave, mes tyre edhe të mitur, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.