• |
ide | kryesore

BBC: Pjesët më pikante të librit që do trondisë Shtëpinë e Bardhë

Kryesore, Planet



Presidenti i 37-të amerikan, Riçard Nikson u largua nga detyra 46 vite më parë pas skandalit Uotergejt, të zbuluar nga gazetari Bob Uduard.

Është po ky gazetar, që nën mikroskop ka vënë presidentin Donald Trump me librin e tij të fundit “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” (Fear: Trump in the White House).

(Gazetari Bob Uduard dhe kopertina e librit të tij ‘Fear: Trump in the White House’) 

Përkrahësit e Donald Trump do të thonë, jo pa arsye, se Uduard mbron establishmentin në Uashington, të cilin Trump po lufton.

Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë, se gazetari ka qasje të pakrahasueshme në korridoret e pushtetit dhe konsensusi i përgjithshëm i Uashingtonit është se është më mirë të flasësh me të se sa t’i shmangesh, pasi kolegët dhe armiqtë e tu, sigurisht që do t’i japin atij anën e tyre të historisë.

Në këtë libër Uduard rrëfen bisedat që vijnë nga njerëz brenda godinës së qeverisë.

Shtëpia e Bardhë dhe vetë presidenti janë shprehur se ky libër është i mbushur me “histori të rreme” nga “ish të punësuarit e pakënaqur”.

“Është thjesht një tjetër libër i keq” – u shpreh Donald Trump për Daily Caller gjatë një interviste, duke shtuar se Uduard “ka shumë probleme me kredibilitetin”.

Këtu keni një përmbledhje të disa prej fragmenteve të librit të Uduard.

“Mund ta ndaloj këtë. Thjesht do të marr letrat nga tavolina e tij” – Geri Kohn.

Uduard përshkruan disa raste ku zyrtarët e administratës Trump, këshilltari kryesor ekonomik Geri Kohn dhe Sekretari i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rob Porter, në veçanti, i hoqën Trumpit dokumentet nga tavolina që ai të mos ti firmoste.

Gjithçka ishte pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të izoluar administratën dhe kombin, gjëra që u panë si impulset më të rrezikshme të Trump. Dokumentet që do ta lejonin presidentin të tërhiqte kombin nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut dhe një marrëveshje tregtie me Korenë e Jugut u fshehën. Shtetet e Bashkuara që prej asaj kohe kanë vendosur të rinegociojnë marrëveshjet.

Uduard i përshkruan këto akte si “jo më pak se një grusht shteti administrativ”.

“Mos dëshmo. Ose mos dëshmo ose do vishesh me rroba burgu” – Xhon Daud.

Sipas Uduard, më 27 janar, avokati personal i presidentit, Xhon Daud, organizoi një sesion intervistimi provë me presidentin për të demonstruar se çfarë kishte frikë, pra rezultatet katastrofike nëse Trump do të ulej përballë me ekipin e posaçëm të prokurorit Robert Muller për hetimin e lidhjeve të mundshme mes fushatës së Trump dhe Rusisë.

(Prokurori special Robert Muller dhe Trump) 

Ky sesion intervistimi provë nuk shkoi mirë pasi presidenti u zemërua gjithnjë e më shumë me intensitetin e marrjes në pyetje, duke arritur në një pikë që e quajti hetimin “një mashtrim të mallkuar”.

Daud do të vazhdonte të takohej me Mueller dhe në libër shkruhet se ai i tha prokurorit se nuk mund të pajtohej me intervistën, sepse ai nuk donte ta linte presidentin të “dukej si një idiot” dhe të turpëronte kombin në skenën botërore.

Kur më vonë u zbulua se Presidenti kishte ndryshuar mendjen dhe ishte duke shkuar për të dëshmuar, avokati i tij personal Daud dha dorëheqjen.

“Le ta vrasim atë. Le të shkojmë”. – Donald Trump.

Një nga burimet e shqetësimeve të konsiderueshme për stafin e presidentit, sipas Uduard, ishin ato që stafi i konsideronte si impulse e rrezikshme të Trump në politikën e jashtme.

Kur SHBA besonte se qeveria siriane kishte kryer një sulm tjetër kimik në prill të vitit 2017, Trump i tha Sekretarit të Mbrojtjes Xhejms Mattis të vriste presidentin sirian Bashar al Assad.

(Trump dhe Xhejms Mattis) 

“Le ti vrasim ata” – tha presidenti.

Mattis pranoi kërkesën e Trump, pastaj, pas bisedës, i tha një ndihmësi se ai nuk do të bënte “asnjë nga këto gjëra”.

Uduard thotë se zyrtarët e admiinistratës ishin gjithashtu të shqetësuar kur presidenti kërkoi plane për një sulm ushtarak parandalues në Korenë e Veriut gjatë kulmimit të tij me Kim Jong Un. Presidenti po ashtu ka sulmuar gjeneralët e lartë të lidhur me luftën në Afganistan, duke thënë se ushtarët “në terren”, siç përkthen Lapsi.al, mund të bënin një punë më të mirë.

“Edhe sa vdekje do të ketë? Edhe sa gjymtyrë të humbura? Edhe sa kohë do të jemi atje? – pyeti Trump.

“Ne jemi në qytetin e të çmëndurve. Unë nuk e di as pse rrimë këtu. Kjo është puna më e keqe që kam pasur ndonjëherë” – Xhon Kelli.

Uduard shkruan se stafi i Shtëpisë së Bardhë është vazhdimisht i nëpërkëmbur dhe i ‘rrahur’ nga Trump, një president me luhatje të theksuara humori.

Kur këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kohn, u përpoq të japë dorëheqjen pasi presidenti shprehu simpati për nacionalistët e bardhë që u angazhuan në një tubim të dhunshëm gushtin e vitit të kaluar në Çarllotsvill, Trump e akuzoi atë për “tradhti”. Kohn, sipas Uduard, e sheh presidentin si një “gënjështar profesionist”.

Trump gjithashtu i tha Sekretarit të Tregtisë, Uilbur Ros se nuk i besonte. “Nuk dua që të vazhdosh të bësh më negociata.” – i tha Trump Sekretarit.

(Trump dhe stafi i tij) 

Ai e krahasoi shefin e stafit, Reinjs Prajbas me një mi. “Ai vetëm vjen rrotull”.

Sa për prokurorin e përgjithshëm, Xhef Seshëns, të cilin Trump e ka sulmuar rëndë publikisht, privatisht presidenti ishte edhe më poshtërues.

“Ky djalë është i vonuar mendërisht” –i tha Trump sekretarit të stafit, Porter. “Ai është i paaftë. As avokat i një personi nuk bëhej dot në Alabama”.

“Kjo nuk ishte më presidencë’. Kjo nuk është më një Shtëpi e Bardhë. Kjo është që një njeri bën çfarë dëshiron” – Rob Porter.

Nëse presidenti ishte abuziv ndaj stafit të tij, duket se ata janë hakmarrur në njëfarë mënyre nëpërmjet librit të Uduard, i cili është plot me citime kaotike, me të cilat presidenti i drejtohej ndihmësve dhe këshilltarëve të tij.

Shefi i Stafit, Kelli, vazhdimisht e quan Trumpin një “idiot” dhe shprehet se “është e kotë të përpiqemi ta bindim atë për ndonjë gjë”. Sekretari i Mbrojtjes Mattis i tha një ndihmësi se “presidenti ka njohuri për politikën e jashtme sa ç’mund të ketë një nxënës i klasës së pestë ose të gjashtë”. (11 ose 12 vjeç)

Paraardhësi i Kellit, Rejns Prajbas, e përshkruan suitën presidenciale ku flen Trump si “zyrën e djallit”, siç përkthen Lapsi.al, ku Trump lëshon postime të ashpra në Twitter herët në mëngjes dhe në fundjava.

Marrëdhënia e Trump me Reks Tillerson thuhet se asnjëherë nuk u rregullua pas lajmit se ish-Sekretari i Shtetit e kishte quajtur presidentin një “budalla”. Nëse është kështu, libri i Uduard mund të shkaktojë dëme serioze brenda Shtëpisë së Bardhë në ditët në vijim.

(Reks Tillerson dhe Trump) 

“Askush nuk më tregoi gjë për këtë, dhe unë do të kisha dashur të kisha folur me ty. Ti e di se unë jam shumë i hapur me ty. Mendoj se ke qenë gjithmonë i drejtë” – Donald Trump.

Gazeta Uashington Post publikoi një regjistrim audio të një telefonate që Presidenti i bëri Uduard në fillim të gushtit. Në të, presidenti pretendon se asnjëherë nuk është kontaktuar për një intervistë apo të jetë informuar për këtë libër që pritet të publikohet së shpëjti, një pohim që Uduard e kundërshton.

(Trump dhe Bob Uduard) 

Trump bëri disa përpjekje për ta drejtuar bisedën drejt arritjeve të politikës së jashtme dhe rekordeve të tij ekonomike si president.

“Askush nuk ka bërë më parë një punë më të mirë si president nga sa po bëj unë. Këtë mund t’jua them.” – shprehet Trump.

Uduard i përgjigjet Trump duke i thënë se përmes intervistave që ai kishte kryer, kishte “fituar shumë njohuri dhe dokumentacion”, dhe se libri i tij do të ishte një “vështrim i ashpër i administratës tuaj.”

“Supozoj se kjo do të thotë se do të jetë një libër negativ” – i përgjigjet presidenti.

Uduard përfundon telefonatën duke thënë: “Unë besoj në vendin tonë, dhe meqënëse ju jeni presidenti ynë, ju uroj fat të mbarë”. 

Nëse libri i tij është ndonjë tregues, Uduard ndoshta mendon se Donald Trump do të ketë nevojë për të gjithë fatin që mund të gjejë.

BBC, përshtati në shqip për ©LAPSI.AL, Arbër Kaceli



1 Comment

  1. Trump eshte reklame e mire per te shitur nje liber. Bob-i qenka bere nje biznesmen i mire. nga nje gazetar investigativ ne biznesmen.

    Per leconjesit e lapsllekut, Libri eshte fiction dhe jo LAJM pa lidhje me uotergejt aq sa ka rama lidhje trumpin kur i rrinte verdalle ne samitin e natos!!

    me nje fjale bob-i po ben nje dore para me kete liber

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *