• |
ide | kryesore

Rriten tensionet/ Londra akuzon drejtpërdrejt Putinin për sulmin me agjent nervor në Britani

F1, Planet



Ministri britanik i Sigurisë, Ben Wallace deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin është “përfundimisht përgjegjës” për sulmin vdekjeprurës me agjent nervor në Salisbury, si rezultat i kontrollit të tij të forte mbi shtetin rus.

Këto akuza janë më të ashprat që një zyrtar i lartë i qeverisë britanike ka bërë për sulmin, duke fajësuar drejtpërdrejt Putinin për tentativën e dy oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse për të vrarë ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në mars të këtij viti.

(Sergei Skripal) 

The Guardian shkruan se Britania do të kërkojë të intensifikojë presionin diplomatik në Kremlin, duke parashtruar akuzat ndaj Moksës në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, në të cilin edhe Rusia është anëtare.

Vetë kryeministrja Theresa May nuk e fajësoi Putinin për autorizimin e vrasjes së mbetur në tentativë, gjë që rezultoi me vdekjen e një grtuaje britanike, në deklaratën e saj të posaçme të së hënës, edhe pse ajo vuri dukshëm gishtin në Kremlin.

Megjithatë, kryeministrja zbuloi se dy të dyshuarit që erdhën në Britani me agjentin nervor “Novichok”, ishin oficerë të GRU-së, inteligjencës ushtarake ruse. Sipas policisë britanike, të dyshuarit udhëtuan nga Moska në Londër dhe më pas në Salisbury. U shfaqën imazhe të shumta të kamera të rrugëve dhe detaje mbështetëse.

(Vendi ku ndodhi sulmi me agjent nervor në Salisbury) 

Ministri i Sigurisë, Wallace tha për BBC Radio 4 se ishte e qartë se Putini mbante përgjegjësinë për këtë sulm. Sipas The Guardian, Wallace tha: “Përfundimisht ai është përgjegjës. Ai është presidenti i Federatës Ruse dhe është qeveria e tij që kontrollon fondet dhe drejton inteligjencën ushtarake, GRU-në, nëpërmjet ministrisë së tij të mbrojtjes. Unë nuk mendoj se ka njerëz që mund të thotë se zoti Putin kontrollon shtetin e tij.”

Wallace shtoi: “GRU-ja sigurisht që nuk ka dalë nga duart e qeverisë. Ajo udhëhiqet dhe është e lidhur me anëtarët e lartë të stafit të përgjithshëm rus dhe ministrin e mbrojtjes dhe, nëpërmjet kësaj, me Kremlinin dhe zyrën e presidentiut. Sigurisht ai është përgjegjës, ai është udhëheqësi i shtetit.” (përktheu lapsi.al) 

(Ben Wallace) 

Konservatorët e lartë kanë akuzuar drejtpërdrejt Putinin për miratimin e operacionit.

Kryetari i komitetit të Punëve të Jashtme, Tom Tugendhat, tha se nuk kishte asnjë dyshim se sulmi ishte urdhëruar nga shteti dhe se Putin ishte përgjegjës për një “një akt lufte”.

Të martën në parlament, kryeministrja May i tha deputetëve: “GRU është një organizatë shumë e disiplinuar me një zinxhir komandues të vendosur mirë. Pra, ky nuk ishte një operacion i paautorizuar. Sulmi me siguri u miratua edhe jashtë GRU-së në një zyrë të lartë të shtetit rus.” (përktheu lapsi.al)

Por, Theresa May nuk bëri drejtpërdrejt Putinin përgjegjës.

Zyrtarët e Britanisë së Madhe do të dalin ballë për ballë me homologët e tyre rusë për herë të parë që nga këto deklarata, ndërsa ata do të informojnë këshillin e sigurimit të OKB-së për dy burrat e dyshuar për sulmin me agjenti nervor të nivelit ushtarak, në Salisbury.

(Këshilli i Sigurisë së OKB-së) 

Megjithatë ka mundësi që pas këtyre deklaratave të mbulohet puna e fshehtë e inteligjencës britanike për të prishur aktivitetet e agjencisë ushtarake të inteligjencës ruse në vend, duke përfshirë edhe hapësirën kibernetike, shkruan The Guardian.

Ministri Ben Wallace këmbënguli se çdo përgjigje që Mbretëria e Bashkuar do të vendosë t’i japë Rusisë, do të ishte brenda sundimit të ligjit, dhe jo nëpërmjet “taktikave të ashpra, shkatërruese dhe agresive”, që ai tha se janë adoptuar nga rusët.

“Ne vendosim t’i sfidojmë rusët si në mënyrë të ligjshme dhe të hapur, ashtu edhe në mënyra të fshehta të sofistikuara” –deklaroi ministri i Sigurisë.

Ai pretentoi se britanikët po bënin “progress të rëndësishëm” në luftën kundër parave të paligjshme ruse që hynë në Britaninë e Madhe. Qeveria gjithashtu do të shtyjë Bashkimin Europian që të vendosen sanksione të reja kundër Rusisë.

Përpara takimit të OKB-së, Australia, një partner i ngushtë i sigurisë britanike, tha se ishte sëbashku me Britaninë e Madhe, për rëndësinë e mbajtjes së Rusisë përgjegjëse për sulmin e rrezikshëm dhe të qëllimshëm në tokën britanike.

Tentativa për të vrarë ish-spiunin rus, Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia në Britaninë e Madhe ftohu edhe më shumë marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin në mars. Një pjesë e vendeve të BE-së, NATO-s dhe SHBA-të dëbuan diplomatë rusë nga vendet e tyre.

Që prej asaj kohe, qeveria britanike pretendonte se Rusia fshihej pas këtij sulmi, edhe pse nuk kishte provat që ka siguruar sot. Por, Moska i ka mohuar që prej fillimit të gjitha akuzat për përfshirjen e saj në këtë tentativë vrasje me agjent nervor të nivelit ushtarak. Sipas Moskës, këto janë akuza të bazuara në prova të sajuara.

Dëbimeve, Moska iu përgjigj në mënyrë reciproke. Për çdo dëbim të një diplomati rus nga Perëndimi, Kremlini përgjigjej njësoj.

©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *