• |
ide | kryesore

Panucci thërret Kaçen dhe paralajmëron Skocinë: “Jemi këtu për të fituar”

F1, Kryesore, Sport



Skocia nuk është Izraeli, natyrisht duke patur parasysh se luajnë mënyra të ndryshme futbolli. Christian Panucci do të zbresë në Hampden Park me moralin e përtërirë nga një fitore e rëndësishme me Izraelin dhe një bindje që i formohet mes buzëqeshjes dhe seriozitetit sa herë që i kalon nëpërmend ai gol i shënuar në 2007, që i flaku Highlanders jashtë Europianit. Italiani do të donte ta bëntë sërisht. shumë do të donte dhe nuk e fsheh as në konferencën për shtyp, një ditë përpara ndeshjes decizive që mund të vendosë shumë në shanset e Shqipërisë për kualifikim, gjithnjë nëse fitojmë.

“Ka qenë një nga momentet më të mira goli i shënuar ndaj Skocisë. Skocia ka qenë ndryshe në atë kohë, nuk do të jetë aspak e thjeshtë për më tepër kur luan me një Skoci që vjen pas një humbje 4-0. Ajo që mendoj është se duhet respektuar krenaria te skuadra kundërshtare”, vlerësoi Panucci, që këtë herë vjen si trajner i Shqipërisë. Si i tillë italiani ka llogari për të bërë, që lidhen me formën fizike të lojtarëve dhe zgjedhjet konform kundërshtarit. “Për faktin se janë 2 ndeshje brenda dy ditësh, kam menduar disa ndryshime referuar edhe takimit me Izraelin, do t’i shikoni nesër në fushë”.

Dëmtimet janë ato që karakterzuan vigjiljen e Ligës së Kombeve për Panuccin e duket se do të jenë destin i një sforco të madhe mendore, duke parë se listës së gjatë të infermierisë iu shtua edhe Lila, duke e bërë teknikun të hedhë sytë nga i harruari Kace. “Kam parë qarkullim midis mesfushorëve dhe kam thërritur Kacen, i cili do ta nisë nga pankina. Ka pasur dhe ai dëmtime, por është lojtar me personalitet dhe do shikojmë në pjesën e dytë nëse do i japim kohën e duhur” sqaroi Panucci që nuk fshihet pas asgjëje por paralajmëron skocezët se mund ti shkaktojë një tjetër dëshpërim si ai i 2007 me Italinë, vetëm se këtë herë me të tjera ngjyra.

“Natyrisht nuk zbresim në fushë për një pikë. Zbresim për ta fituar. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar. Njohim defektet që kemi, por me gjithë respektin që kemi për Skocinë është e drejta jonë të provojmë të fitojmë. Më pas do të flasim pas ndeshjes”.

Panucci nuk mund të mos ketë shqetësime, përpara një transferte si ajo në Skoci. Ishullorët janë nga ato skuadra që imponohen me fizicitet dhe grintë, sidomos në fushën e tyre: “I frikësohem shumë krenarisë së lojtarëve skocezë. E ritheksoj se është një ndeshje e vështirë dhe duhet luajtur me shumë kurajo”.

Në qendër të mbrojtjes, pavarësisht gabimeve ndaj Izraelit, tekniku shpëton dyshen Veseli-Gjimshiti, por pas fjalëve të Panuccit fshihet ideja për të nxjerrë në fushë nga minuta e parë Mavrajn. “Veseli dhe Gjimshiti bënë një ndeshje të mirë. Jam i qetë për ta, më kanë bindur. Kanë bërë disa gabime teknike që ndodhin në futboll. Skocia luan me topa të gjatë, ndaj duhet administruar situata me eksperiencë”. Mavraj është një opsion më shumë se i mundshëm, i reflektuar në pak minuta ndaj Izraelit, si për ti dhënë mbrojtësit shijen e ndeshjes e për ta bërë gati psikologjikisht për një ndeshje të madhe kundër Skocisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *