• |
ide | kryesore

Abuzimi me fondet, KLSH çon në Prokurori dosjen e drejtuesve të Hekurudhës

Lajme, Të fundit



Shkelje të panumërta në Hekurudhë janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. E për këtë arsye KLSH ka depozituar indicie për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, sipas shkeljeve të Konstatuara nga auditimi i kryer në Shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” SHA Durrës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit nr.1313/1, datë 03.01.2018, ka audituar Shoqërinë “Hekurudha Shqiptare” SHA Durrës për periudhën 01/11/2014 deri në 31/12/2017.  Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH me shkresën nr. 1313/10 datë 18.06.2018 i ka përcjellë HSH gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimin nr. 50, datë 17.06.2018 të Kryetarit, si dhe ka dërguar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” SHA.

– Nga Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” SHA, nuk janë zbatuar plotësisht procedurat ligjore për përdorimin e subvencionit të akorduar për transportin e udhëtarëve për periudhën objekt auditimi, duke ndryshuar destinacionin e këtij subvencioni në vlerën 1,230,000,000 lekë e cila përbën shkelje të disiplinës buxhetore dhe shpenzime jo në përputhje me ligjin po në të njëjtën vlerë.

Konkretisht i gjithë subvencioni është përdorur për mbulimin e fondit të pagave dhe sigurimet shoqërore për shoqërinë Hekurudha Shqiptare, duke ndryshuar në këtë mënyrë destinacionin e këtij shpenzimi të dhënë nga buxheti i shtetit, në kundërshtim me Ligjin nr. 9374, datë 21.02.2005 “Për ndihmën shtetërore”, Ligjin nr. 185/2013, datë 02.12.2013 “Për buxhetin e vitit 2014”, Ligjin nr. 119/2012, datë 17.12.2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 817, datë 28.12.2005 “Për miratimin e rregullores “Për procedurat dhe formën e njoftimit”, Vendimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore nr. 8, datë 02.02.2007 i ndryshuar me Vendimin nr. 15, datë 15.03.2007.

– Nga auditimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në zbatimin e strukturës organizative, në marrëdhëniet e punës dhe në dhënien e pagave dhe shpërblimeve është konstatuar se punonjësit e larguar nga puna kanë hapur procese gjyqësore ligjore për të cilat janë marrë 18 vendime të formës së prerë në vitet 2015-2017, me vlerë të efektit negativ financiar në shumën 11,481,144 lekë, nga të cilët 12 nga këto vendimi janë në proces.

– Shoqëria nuk ka paguar këstet kredisë italiane, në kundërshtim me standardin kombëtar të kontabilitetit nr. 3, të përmirësuar, Instrumentet financiare, pika 14, duke sjellë rritje të riskut për mosparaqitjen e saktë të pasqyrave financiare. Vlera 1,746,915 euro e paguar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përbën efekt negativ financiar për Buxhetin e Shtetit.

– Ish-drejtues të shoqërisë kanë likuiduar fatura për shërbim me roje private, të cilat nuk janë firmosur nga blerësi, nuk është përcaktuar vendi i kryerjes së shërbimit, nuk janë shoqëruar me procesverbalet e kryerjes së shërbimit dhe nuk është përcaktuar vendi i realizimit, me pasojë dëm ekonomik me vlerë 14,223,134 lekë.

– Kontrata e furnizimit “Blerje traversa druri, për vitin 2016”, nuk është përfunduar në afatin e përcaktuar në kontratë, megjithatë nga ana e Shoqërisë nuk janë aplikuar penalitetet e përcaktuara që për këtë rast janë me vlerë 4,209,874 lekë. Janë konstatuar mangësi në zbatimin e tre kontratave të punimeve civile dhe furnizimit për tre raste me vlerë 3,530,714 lekë.

– Në dy procedura prokurimi, fondi limit është përllogaritur më i lartë se ai real, në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 1, pika 2. b, duke shkaktuar dëm ekonomik me vlerë 4,127,040 lekë dhe 3,611,600 lekë.

– KLSH i ka kërkuar administratorit të shoqërisë të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 6 punonjës: E.D, në cilësinë e Drejtorit të NJBMIH, M.K, M.B, XH.B, në cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit, P.N, N.P, në cilësinë e anëtarëve të KVO. Po ashtu është kërkuar marrja e masës disiplinore “Vërejtje” për 11 specialistë A.D, D.R, Ll.I, P.D, M.S, E.L, A.G, L.D, Sh.Xh, V.M, N.P, me detyrë specialist.

Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si dhe çështje/probleme të tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 50, datë 17.06.2018, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 15, germa “gj” të Ligjit nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, është dërguar për indicie penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës Raporti Përfundimtar i Auditimit të dhe Vendimi i Kryetarit të KLSH nr. 50, datë 17.06.2018.



3 Comments

  1. Dmth mos pagimi i kredise italiane, perben dem ekonomik?? Hekurudhat jane te falimentuara dhe pronari i tyre(ministria e ekonomise) i ka paguar . Do me thene se gjyqet e hapura kunder hekurudhave jane ne dem ekonomik??po kete e di edhe bufu qe gjykata do vendose ne favor te punonjesve…KLSH eshte nje institucion i pj…dhe po vazhdoi keshtu eshte totalisht pa kredibilitet..

  2. aman per te paguar rrogat e punonjsve i paskan perdorur … hallall..
    KLSH mire ben qe i kontrollon me rreptesi dhe zbaton ligjin por ne kete rast duke pare se per cfare jane perdorur keto para nuk ju ve shume faj ketyre drejtuesve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *