• |
ide | kryesore

Blinda dhe snajpera, FNSH e RENEA rrethojnë Niklën në Krujë, shoqërohet Flamur Haka

Lajme, Të fundit



Një aksion i FNSH-së dhe forcave RENEA është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Niklës në Krujë. Kontrollet janë fokusuar kryesisht në banesat e grupit të Niklës, ndërsa në aksion janë përfshirë dhe një sërë mjetesh të blinduara.

Mësohet se një nga vilat që është kontrolluar është dhe ajo e Flamur Hakës, i cili njihet ndryshe dhe si koka e bandës së Niklës, nga ku kanë pasuar një sërë krimesh të rënda. Ai mësohet se është ndaluar sot nga ana e Policisë, ndërsa njihet ndryshe dhe me pseudonimin “Tuku”. Flamur Haka është dënuar me 16 vite burg, dhe mbetet e paqartë sesi është kryer lirimi i tij dhe në rast se ka përfituar një ulje të dënimit të tij.

Mësohet se ky operacion po drejtohet nga vetë Ardi Veliu, drejtuesi i Policisë së Shtetit. Burime bëjnë me dije se ka pasur disa urdhër-kontrolle që janë lëshuar nga ana e prokurorisë së krimeve të rënda për kontrolliun e këtyre banesave për drogë dhe për armë.

Derimë tani raportohet se është shoqëruar dhe vetë Flamur Haka, ndërsa është sekuestruar një automjet i blinduar. Dyshimet e policisë janë se municionet e këtij grupi nuk janë fshehur në banesa po në vende të tjera, që mund të kenë shërbyer si magazina.

Kujtojmë se nga ky grup janë arrestuar 8 persona në vitin 2008, të cilat akuzoheshin për një sërë veprash si “vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, “Shkatërrim prone me eksploziv, “Vjedhje me dhunë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim e shitje lëndësh narkotike”.

Për çfarë akuzoheshin anëtarët e grupit të Niklës:

Sipas prokurorisë, në shkurt të vitit 2005 është regjistruar procedimi penal kundër shtatë të pandehurve, Flamur Haka, Petrit Lleshi, Agron Tafani, Kreshnik Berisha, Mustafa Xheka, Edmond Sina dhe Ervin Belba. “Veprimtaria e kësaj bande ka filluar në prill të vitit 1998, kur dy prej anëtarëve të saj kanë vjedhur makinën e Bardhyl Medollit në vendin e quajtur Bregu i Lumit në Tiranë.

Pak muaj më pas, në fillim të vitit 1999, anëtarët e kësaj bande i kanë vënë gjobë prej 2 milionë lekësh shtetasit Petrit Metohu. Letra kërcënonte Metohun se nëse nuk do të paguante paratë, do t’i vriteshin fëmijët.

E veçanta e këtij rasti është se në fund të letrës, kishin nënshkruar sikur autor i gjobëvënies ishte Nehat Kulla dhe grupi i tij. Një tjetër grabitje e bandës e cila është faktuar, është kryer më 6 maj 1999. Rreth orës 21:30 të asaj nate, tre persona kanë hyrë në banesën e Gëzim Qefalisë, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu dhe i kanë marrë këtij të fundit 850 franga dhe 5200 marka.

Ndërkohë, vetëm gjashtë muaj më pas, Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë rrëmbyer shtetasin Kujtim Shtufi dhe e kanë shpënë në një banesë në afërsi të urës së Tapizës. Më datë 19 nëntor 1999 ata i kanë telefonuar shtetasit Dodë Luli duke i kërkuar 50 milionë lireta italiane në këmbim të lirisë së Shtufit.

Pak orë më vonë, nën presionin e policisë, ata janë tërhequr nga kërkesa e tyre dhe kanë lënë të lirë Shtufin vetëm pasi i kanë marrë 20 mijë lekë, 300 mijë lireta si dhe një zinxhir floriri. Në qershor të vitit 2000 sërish Haka dhe Lleshi kanë tentuar që të vrasin shtetasin Bledar Ulliri, i cili për fat ka shpëtuar vetëm me një plumb në këmbë.

21 prill 1998

Kreshnik Berisha dhe Edmond Sina kanë ndaluar makinën e Bardhyl Medollit, i cili ndodhej me kunatin, motrën e tij dhe dy fëmijë të vegjël. Të akuzuarit i kanë dalë përpara me armë më dorë e i kanë marrë makinën

Fillim i vitit 1999

Anëtarët e kësaj bande kanë hedhur një letër në shtëpinë e Petrit Metohut, ku i kërkohej të paguante dy milionë lekë, përndryshe do t’i vrisnin fëmijët. Letra ishte nënshkruar sikur atë e kishte dërguar Nehat Kulla

6 maj 1999

Kreshnik Berisha dhe Agron Tafani kanë hyrë në shtëpinë e shtetasit Gëzim Qefalia, ku ndodhej edhe kosovari Ismet Kryeziu. Nën kërcënimin e armëve ata kanë mundur t’i marrin shumën e 850 frangave dhe 5200 markave

18 nëntor 1999

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë marrë peng shtetasin Kujtim Shtufi dhe pak orë më pas, kanë telefonuar Dodë Lulin duke i kërkuar 50 milionë lireta për ta liruar. Pas presionit të policisë ata kanë liruar pengun

10 korrik 2000

Kreshnik Berisha, Petrit Lleshi dhe Ervin Belba, të pajisur me shkopinj i kanë zënë rrugën dy kambistëve Avni dhe Ramiz Gjuta. Me anë të kërcënimit ata kanë mundur që t’iu marrin atyre shumën e 1.4 milionë lekëve

5 dhjetor 2000

Rreth orës 12.00 të asaj dite, anëtarë të bandës kanë ndaluar në rrugën “Don Bosko” makinën e firmës së këpucëve “Filanto”. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë mundur të marrin shumën e rreth tre milionë lekëve

10 qershor 2000

Flamur Haka dhe Petrit Lleshi kanë tentuar të vrasin shtetasin Bledar Ulliri. Ata e kanë ndjekur Ullirin nga pas dhe pasi i kanë prerë rrugën me makinë e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Fatmirësisht ai është larguar

30 maj 2003

Anëtarë të kësaj bande kanë kryer grabitjen e makinës së shtetasit Hektor Begeja. Ai kishte parkuar makinën përballë Akademisë të Arteve, por kur është kthyer makina e tij ishte vjedhur nga Berisha dhe persona të tjerë

9 shkurt 2005

Kreshnik Berisha dhe Mustafa Xheka kanë kryer grabitjen e kambistit Reshit Beja, tek Fusha e Aviacionit. Mëngjesin e asaj dite ata i kanë grabitur me armë Bejës rreth 34 mijë euro, 4.4 milionë lekë si dhe 4400 dollarë


1 Comment

  1. I hiku dhe nje gure shahu ( shume I rendesishem) Agron Kulicit..

    Dale nga dale do ti rrezohen te gjithe guret e shahut, qe nga vrasesit me pagese dhe deri tek bandat e ketij lloji

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *