• |
ide | kryesore

Hetimet për Tahirin/ Me jaht drejt Italisë, Mali i Zi konfirmon udhëtimin e ish-ministrit

Lajme, Të fundit



Teksa prokurorëve për Krime të Rënda iu ka mbetur edhe një muaj afat për të vendosur për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në duart e tyre ka mbërritur përgjigja e letërporosisë nga Mali i Zi. Dokumenti po përkthehet në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe do t’i bashkangjitet fashikullit të hetimit.

Burime të besuara për News 24 bënë me dije se përmes letërporosisë autoritetet malazeze i konfirmojnë prokurorisë shqiptare një udhëtim me jaht të ish-ministrit Tahiri nga vendi i tyre drejt Italisë, verën e 2017. Në dokument thuhet se jahti, është në pronësi të një shtetasi shqiptar, identiteti i të cilit mbahet tejet sekret nga prokurorët. Autoritetet e huaja kanë përcjellë edhe të dhëna të tjera, që lidhen me këtë udhëtim, që nga orari i nisjes, flamuri që mbante jahti, dhe emrat e personave që shoqëronin ish-ministrin e Brendshëm.

Pas marrjes së këtij dokumenti pesë prokurorët e çështjes kanë firmosur fletëthirrjet ne emër të gjithë personave që janë gjendur në shoqërinë ish-zyrtarit të lartë, të cilët pritet të paraqiten përgjatë kësaj jave për të dhënë shpjegimet e tyre. E ndërsa prokuroria ka hyrë në një tjetër fazë të vrullshme për t’i dhënë zgjidhje çështjes, nga ish-ministri i Brendshëm nuk ka patur më asnjë lajm.

Gjatë muajve të verës, ai u shfaq aktiv në rrjetet sociale, ku shpërndante foto nga udhëtimet e tij në mal, apo teksa bënte zhytje me të birin, e kësisoj përçonte edhe mesazhet e tij. Së fundmi, Saimir Tahiri po qëndron në heshtje. Që prej tetorit 2017, kur ndaj tij prokuroria çeli hetimin pas dyshimeve për lidhje me grupin kriminal “Habilaj”, ish-ministri ka dalë triumfator përballë drejtësisë.

Ai mundi të shpëtonte nga arrestimi, pasi Kuvendi nuk i dha autorizim prokurorisë. ndërsa ka dalë fitues në dy betejat e zhvilluara në gjykata. Herën e parë ai e bindi Apelin për Krime të Rënda t’i kthente pasaportën, e në përballjen e tyre ta lironte nga arresti i shtëpisë. Me gjykatën e Lartë, ku presin të shqyrtohen dy rekurset e prokurorisë për çështjen Tahiri, ish-ministri ende nuk i ka matur forcat./ BW



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *