Beteja për vendin e parë në Superiore është sërisht me fitues të njëjtë. Skënderbeu triumfon me dy gola në Vlorë, me kuqezinjtë që nuk hakmerren dot për titullin e munguar 8 vjet më parë. Një fitore që më shumë se të gjithë e ka ndjerë Orges Shehi, që mund profesorin e tij Ilir Daja, në një ndeshje të luajtur me kujdes por që në fund i dha tre pikët korcarëve me golat e Krasniqit dhe Oto Xhon.
Ishte hera e parë që Shehi përballej me Dajën si trajner dhe fundi nuk është nga ata që i pëlqen teknikut të fundit që shpalli Skënderbeun kampion. Flamurtari tregoi limite të frikshme dhe mungesa e Allës dënoi vlonjatët, shumë më tepër se sa e kishin imagjinuar.
Dy gabime, në dy episodet e golave, nga dy qendërmbrojtës që zëvendësuan njëri tjetrin, por nuk bënë të harrohej Alla. “Nuk e nisnim dot aksionin në mënyrën që unë veproj, sepse kur lojtarët nuk marrin përgjegjësi mbi vete, mundohen të largojnë topin nga këmbët sa më shpejt”, sqaroi Daja pas ndeshjes.
Dy formacionet vinin me pikë të barabarta 7 në këtë përballje për kreun, por Skënderbeu u tregua shumë më ekspert, duke shfrytëzuar dy mundësi në dy, për të ndëshkuar Koliçin. Kuqezinjtë nuk e përballuan presionin dhe ky nuk është sezoni i parë që në ndeshjet decizive, vlonjatët fiken.
Cështje psikologjike thotë Daja: “Kjo skuadër duhet të përmirësojë në radhë të parë anën psikologjike. Duhet të përpiqemi të ringremë moralin sa më shpejt, sepse nuk ishim gati dhe vuajmë nga kjo anë”.
Për Shehin gjithcka prek kthehet në ar. Krasniqi titullar, por ende jo në 100% shënon, zëvendësohet nga Oto Xhon dhe sulmuesi shënon golin e dytë.
52 suksese të korcarëve tashmë, që përmirësojnë bilancin e ndeshjeve direkte me Flamurtarin në 134 takime, kunddrejt 49 të vlonjatëve dhe 33 barazimeve dhe marrin edhe kreun vetmitar të Superiores me 10 pikë, duke lënë 3 pikë pas tashmë Flamurtarin, Kukësin e Partizanin.