• |
ide | kryesore

Raporti i Bankës Botërore: Përpjekjet për uljen e varfërisë ekstreme po minohen nga luftrat

F1, Planet



Lufta në Siri dhe rritja e popullsisë në Afrikën Sub-Sahariane kanë dëmtuar përpjekjet për të reduktuar numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme, njoftoi Banka Botërore.

Në raportin e saj vjetor, agjencia e zhvillimit në Uashington tha se përqindja e njerëzve që jetonin në kushte të tilla kishte rënë në një nivel të ri prej 10% në vitin 2015, numri më i fundit në dispozicion, nga 11% në vitin 2013. Kjo do të thotë se numri i njerëzve që jetonin me më pak se 1.90 dollarë në ditë ra me 68 milion, në një shifër prej 736 milionë.

Por, rënia ishte sa gjysma e rënies së viteve të mëparshme dhe është ngadalësuar edhe më shumë nga viti 2015 deri në vitin 2018, sipas rezultateve paraprake.

Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, tha se kontrolli i fundit i varfërisë tregonte “përparim të ngadaltë” drejt qëllimit për të lënë vetëm 3% të njerëzve të jetojnë në varfëri të skajshme deri në vitin 2030.

“Gjatë 25 viteve të fundit, më shumë se një miliard njerëz janë hequr nga varfëria ekstreme dhe shkalla globale e varfërisë është më e ulët se kurrë në histori. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit,” – tha ai.

“Por, nëse do t’i japim fund varfërisë deri në vitin 2030, ne kemi nevojë për investime shumë më të mëdha, veçanërisht në ndërtimin e kapitalit njerëzor, për të ndihmuar në nxitjen e rritjes gjithëpërfshirëse që do të duhej për të ndihmuar të varfrit e mbetur. Për hir të tyre, ne nuk mund të dështojmë.” (përktheu lapsi.al) 

Kina dhe vendet fqinje kanë reduktuar më shumë varfërinë dekadat e fundit. Edhe vendet fqinje kanë përfituar nga rritja spektakolare ekonomike e saj. Mesatarja globale ka përfituar edhe nga përpjekjet e vendeve të Amerikës së Jugut, si Brazili dhe Kili për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria.

Normat e varfërisë janë përmirësuar në disa vende të Afrikës lindore, por pjesa më e madhe e Afrikës Sub-Sahariane ka mbetur prapa pas një rritjeje të madhe të popullsisë, veçanërisht në Nigeri dhe disa shtete të tjera afrikane.

Kapitulli i parë i raportit, i cili është publikuar në prag të takimit vjetor të Bankës Botërore muajin e ardhshëm në Bali, zbuloi se në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, konfliktet në Siri dhe Jemen ngritën nivelin e varfërisë ekstreme nga 9.5 milionë në vitin 2013 në 18.6 milionë në vitin 2015. Në Afrikën Sub-Sahariane, numri u rrit nga 405 milionë njerëz në 2013-n në 413 milionë në vitin 2015.

Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim, tha se së bashku me rritjen e popullsisë, normat e varfërisë, më të larta nga ç’priteshin, reflektuan gjithashtu në rënien e çmimeve të mallrave, rritjen e tensioneve tregtare, shtimin e konflikteve të brendshme dhe paqëndrueshmërisë politike.

Afrika Sub-Sahariane pritet të kontribuojë më shumë se çdo zonë tjetër në shtimin e popullsisë globale deri në vitin 2050. Pritet që në 2050-n popullsia globale të shkojë nga 7.5 miliardë sot, në 9.7 miliardë. (përtkheu lapsi.al) Deri në vitin 2050, OKB parashikon se rreth dy të tretat e popullsisë globale do të jetojnë në qytete dhe më shumë se gjysma e tyre të vuajnë nga mungesa e ujit.

Banka Botërore është shulmuar ashpër në të kaluarën nga sindikatat dhe agjencitë kundër varfërisë, pasi ka mbështetur politikat e zakonshme ekonomike që parashikojnë dobësimin e të drejtave të punëtorëve dhe uljen e taksave të biznesit për të nxitur rritjen ekonomike.

Zyrtarët e Bankës Botërore kanë kundërshtuar, duke thënë se po punojnë me shumicën e vendeve në rajonin sub-saharian me politika të përshtatura për nxitjen e rritjes ekonomike dhe lehtësimin e varfërisë, pa pasur një axhendë të njëjtë për çdo vend.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



1 Comment

  1. dijeni mire te gjith se nese ne toke i sherbehet te keqes e keqa do ti permblell te gjith ,tani pysni veten o te fuqishem a e deshironi te keqen ne vetet tuaja familjet tuaja ,nese jo largohuni nga rruget qe tjerve ua sillni te keqen qe mos ta vini te keqen ne ulltim drejt jush ,kjo kjo bot u krijua me shum supriza mos i provokoni ,bota eshte si nje turre dru te vendosura stiv njera mbi tjetren mjafton disa te luash dhe gjith drunjet te rrezohen dhe bien kokes, te urtit njerzit e sukseseshem per gjat historise ,kan ditur se si ta arrin suksesin dhe m,besin te nderuar dhe respektuar nder njerez ka prej atyre qe mbahen mend gjat me shekuj per mire

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *