• |
ide | kryesore

Si e justifikoi Gjiknuri taksën e re për autostradat

Arkiva, Lajme, Të fundit



Tarifa për Rrugën e Kombit ishte vetëm e para. Trarë të tjerë do të vendosen nëpër autostrada, ku do të paguhet për të kaluar ka paralajmëruar dje ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë. Por si e justifikon qeveria vendosjen e taksave të reja që vilen nga privati, në rrugë që janë ndërtuar me paratë e taksave të buxhetit dhe jo nga kompani private.

Arsyetimi është i njëjtë me atë që përdori disa vite më parë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani kur qeveria kërkonte rritjen e taksës së qarkullimit; nuk ka para për të mirëmbajtur rrugët. Kësisoj për të njëjtin shërbim, pra për mirëmbajtjen e rrugëve do të paguhet dy herë. Një herë për të ngriturtrarët e kompanive private dhe një herë kur blejmë naftën.

Gjiknuri thotë se për momentin i duhen 20 milion euro që të përballojë mirëmbajtjen e rrugëve.

“Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë se si do të adresojmë mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve të vendit, sepse në mirëmbajtje, ne jemi të nënfinancuar. Sot që flasim, kërkohet minimalisht 50 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit tonë rrugor. Aktualisht, financojmë më pak se 30, që është më e larta këtë vit nga vitet e tjera, ku qeveritë e mëparshme nuk financonin më shumë se 2 miliardë lekë. Pra, kjo do të thotë se ne jemi ende në një hendek financiar, që kërkon të mbushet ose do të paguhet më shumë nga buxheti i shtetit, sidomos për rrugët e reja, ose unë e kam thënë dhe nuk kam pse e fsheh, ka ardhur momenti që përdoruesit e rrugës të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Parimi është që, ai që e përdor rrugën më shumë, që e konsumon, duhet të kontribuojë më shumë për mirëmbajtjen e saj”, tha Damian Gjiknuri.

Por ndërkohë që bëri këtë deklaratë, Gjiknurit iu miratua një kredi prej 16 milionë dollarësh për Tiranë-Elbasan.

Janë 16 milion dollarë shtesë për një rrugë të papërfunduar, për të cilën deri tani janë paguar 450 milion dollarë, kur kontrata fillestare parashikonte që do të kushtonte 312 milion dollarë.

 

“Kjo ka ardhur për shkaqe komplekse mes të cilave edhe keqmenaxhimi i kontratës, mungesa e studimeve të duhura gjeologjike etj., por për këtë çështje Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ushtruar një audit, duke depozituar në Prokurori një kallëzim penal”, tha Gjiknuri.

Shkaqet komplekse për të cilat flet ministri i infrastrukturës shpjegojnë gjithçka. Ato që Gjiknuri i quan “shkaqe komplekse”, socialistët në opozitë i quanin “taksa e korrupsionit”. Atëherë premtonin se do ta hiqnin njëherë e mirë “taksën e korrupsionit” duke çliruar konsumatorët nga çmimet e shtrenja të ushqimeve bazë, nga çmimi i lartë i energjisë apo nga taksat e rënduara.

Siç po faktohet dita ditës, “taksa e korrupsionit” jo vetëm nuk u hoq, por u rëndua akoma më shumë, sepse çmmi i energjisë u rrit, çmimi i ujit u rrit, taksat e karburantit u rritën, taksat për duhan, kafen, alkolin u rritën, taksat për bizneset u rritën, lëvizja në autostrada do të bëhet me pagesë, e kështu me radhë të gjitha pagesat kanë ndryshuar, përveç korrupsionit që ka mbetur në nivele konstante këto vite.

 



3 Comments

  1. Analizë mediokre. Bëni gjoja sikur i bini qeverisë. Të paktën nëse e keni seriozisht sillni ju lutem shifrat që vjel buxheti në një vit vetëm nëpërmjet taksës së qarkullimit që është e përfshirë në çmimin e naftës. Bëni njëherë të vetme tamam punën tuaj si gazetar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *