• |
ide | kryesore

Çfarë do ndodhë në Kuvend? Sot votohen amendimet në ligjin për Teatrin

Lajme, Të fundit



Parlamenti pritet të miratojë sot amendimet në ligjin që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar. Opozita nuk do të jetë sërish sot në seancë, ndërsa është parashikuar që grupet parlamentare PD-LSI të mblidhen në Vlorë, pas Shkodrës dhe Elbasanit.

Të martën maxhoranca në Komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese, pranoi dekretin e Presidentit të Republikës duke i bërë disa ndryshime ligjit për Teatrin. Sipas amendimeve, hapet gara për realizimin e projektit si dhe zhvillimin e zonës përreth, në qendër të kryeqytetit.

Varianti i mëparshëm parashikonte që gjithçka të realizohej nga kompania “Fusha”, e cila merrte përsipër ndërtimin me fondet e saj të godinës së re sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, në këmbim të mundësisë për të ndërtuar një bllok pallatesh shumëkatëshe në zonën pas Teatrit në një sipërfaqe e cila në pjesën dërrmuese është në pronësi shtetërore.

Shumica u tërhoq nga ligji i posaçëm i propozuar më parë nga Qeveria, pasi hasi në kundërshtime nga Komisioni Europian, i cili në letrën dërguar autoriteteve shqiptare theksonte se i inkurajonte ato “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”.

Por sipas opozitës ligji ka rënë dhe sot maxhoranca duhet të kalojë në Kuvend vetëm dekretin e Presidentit, duke i thënë “Po” ose “Jo”.

Për opozitën, gara është formale dhe kompanitë që mund të ishin të interesuara janë në kushte të pabarabarta me kompaninë “Fusha”, kjo pasi afati që ju është lënë për dorëzimin e projektit është vetëm 30 ditë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *