• |
ide | kryesore

Përplasja/ Thaçi me SHBA, Ramushi me Merkel

Kryesore, Lajme



Në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhur me marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi, e cila përfshin shkëmbim të territoreve mes vendeve, liderët në Kosovë janë ndarë në dy kampe.

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur kategorikisht kundër. Këtë qëndrim ai e përsëriti ditën e djeshme në emisionin “Opinion”, ku tha se kufijtë e Kosovës ndryshojnë vetëm me luftë.

 “Hapja e kufijve, hapja e një marrëveshjeje të tillë, vetëm diskutimi është rrezik për stabilitetin e rajonit. Këto kufij të Kosovës çizmja i ka vendos, nuk janë vendosur në tryeza e me bisedime. Vetëm çizmja, ku i ka lënë çizmja e ushtarit aty janë. Këto kufij, po u lëvizën, kërkohen prapë shumë cizme të ushtarëve në të dy anët”, – u shpreh Ramush Haradinaj.

Kësaj deklarate, Presidenti Hashim Thaçi iu përgjigj me ironi ditën e sotme, duke i kujtuar Haradinajt se ku zhvillohen luftërat.

“Ata që po flasin për luftëra, unë nuk jam t’u i pengu, kush ka qejf le t’ia nis ku të donë, ka 430 kilometra janë kufiri me Serbinë, udha e hajrit ju qoftë le të shkojnë, lufta nuk zhvillohet në studio televizive por në istikame” – deklaroi Hashim Thaçi gjatë takimit me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Por, përplasja e dy liderëve kosovarë pasqyron edhe qasjet e ndryshme që Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë lidhur me këtë tezë.

Pas deklaratës së këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Xhon Bolton, se SHBA nuk do të pengojë Serbinë dhe Kosovën të shkëmbejnë territore, ka qenë ambasadori amerikan në Beograd, i cili sinjalizoi përkrahjen nga përtej Atlantikut për këto lëvizje.

Kyle Scott tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara duan t’u japin Beogradit dhe Prishtinës hapësirën e duhur për të kërkuar një zgjidhje “kreative“, që do të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe do të çojë përpara sigurinë.

Ambasadori Scott tha se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian po hyjnë në një periudhë të ngjeshur dhe se presidentët Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në kërkim të një zgjidhjeje paqësore.

“Në Beograd shohim lëvizje të reja sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve (me Kosovën). Shpresojmë se zgjidhja e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt”, – u shpreh ambasadori amerikan.

Por, tërësisht ndryshe ka reaguar Gjermania për këtë çështje.

Në një deklaratë të përbashkët me Ditmir Bushatin në Tiranë, ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Mass, u shpreh ditën e djeshme se Gjermania është skeptike lidhur me këtë tezë.

Gjermanët i tremben një efekti domino, i cili i nisur nga ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, do të shkaktonte një reaksion zinxhir me pasoja destabilizuese për Ballkanin.

“Ekziston frika e një efekti domino. Ne jemi skeptikë dhe diskretë në lidhje me këtë pikë. Kjo çështje duhet të sqarohet dhe të zgjidhet duke mos sjellë probleme të tjera përveç atyre që janë”, tha ministri gjerman.

Mbështetja që kjo tezë ka gjetur në SHBA, ka angazhuar dhe gazetat prestigjoze “The Washington Post” dhe “The New York Times”, të shkruajnë gjerësisht pse një shkëmbim i tillë do të kishte pasoja të tmerrshme për rajonin, shkruan Lapsi.al

“Propozimet e prezantuara bartin rreziqe, jo vetëm për dy vendet, por gjithashtu edhe për kufijtë e rajonit. Me të vërtetë, ato mund të jenë precedentë kërcënues për krerët të cilët kanë ambicie separatiste.

Asaj që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i referohet si “korrigjim kufiri” mund të nxisë nacionalistët në këtë pjesë të Europës që të kërkojnë ndryshime të ngjashme. Ajo mund të shërbejë si inspirim destruktiv për Kroacinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Maqedoninë, ku lëvizjet nacionaliste dhe disa prej liderëve dëshirojnë që vendet e tyre të jenë etnikisht homogjenë.” – shkruan “The Washington Post”, që e mbyll artikullin me një parashikim lidhur me zbatimin e planeve të Thaçit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Edhe nëse krerët kosovarë dhe serbë do të zotoheshin që planet e tyre për ndryshim të kufirit do të ishin ekskluzivisht vetëm për dy vendet e tyre, nuk ka ndonjë propozim se si këto premtime do të ishin të garantuara.”

“The New York Times” shkruan se është e habitshme se si administrata Trump po mbështet konceptin e ‘Korrigjimit të kufijve’. Sipas gazetës, kjo qasje do të shkatërronte politikat amerikane të përkrahjes së një Kosove multi-etnike. Gazeta nuk përjashton edhe skenarin e një lufte të re, në rast se zbatohet kjo politikë.

“Për befasinë e shumicës, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka sinjalizuar se është e hapur për këtë koncept, edhe pse një kufi i ri mes dy shteteve, krahas linjave etnike do të shkatërronte politikat amerikane të përkrahjes për Kosovën multi-etnike.

Ideja për ndarje, shoqëruar me fjalët për shkëmbim, mund të nisin tensione etnike në një rajon ku në një seri luftërash u vranë më shumë se 100 mijë njerëz dhe u shpërngulën miliona në vitet e 90-ta.” – shkruan “The New York Times”, e cila citon edhe Sava Janjiçin, priftin ortodoks të Manastirit të Deçanit, i cili e sheh një marrëveshje të tillë si nxitëse konfliktesh në Ballkan.

“Kjo ide do ta kthente Ballkanin në një fuçi baruti’, ka paralajmëruar Sava Janjiq, igumeni i Kishës Ortodokse Serbe.”

©LAPSI.AL 



1 Comment

  1. kesi bathqir stalini siq jan rama,thaqi,ramushi,veseli,ruqi etj ka vetem nr popullin lop e dele .zgjedhim nga nje thes mbushur me ar dhe nje cop muti ne kapom copen e mutit si ne kosov,shqiperi e maqedoni.nuk na mhaftoi enveri ,sporo koleka e kristaqi por zgjodhem edhe dhjerjet e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *