• |
ide | kryesore

Shembja e Teatrit/ Qytetarët në protestë, Basha në udhëtim dhe shakaja e Ramës me votimin

Arkiva, Kryesore



Me thirrjet kundër qeverisë dhe kundër shembjes së teatrit, një grup artistësh, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të thjeshtë u mblodhën në hyrjen e kuvendit rreth orës 09:30, në protestë kundër ligjit që i hap rrugë shembjes së teatrit.

“Reflektoni o njërëz, se ka marrë fund Shqipëria!”, thirrje si kjo dëgjoheshin në megafonin që kalonte dorë më dorë mes artistëve dhe qytetarëve, të cilët herë citonin dekretin e presidentit, herë denonconin absurdin e deklaratave të Edi Ramës, pastaj ngrinin zërin për falsitetin e ndryshimeve ligjore në parlament.

Regjizori Edmond Budina propozoi të kalohej deri në rezistencë fizike kundër politikanëve. Tha se e kishte marrë parasysh edhe burgun, vetëm e vetëm që ky vendim të hidhej poshtë.

Nuk mund të trajtohet Shqipëria si çiflig i babait të kryeministrit”, u shpreh avokatja Mirela Jorgo, që për për javë me radhë ka qenë ndër protestueset më aktive kundër projektit të qeverisë.

Një tjetër aktivist, Ervin Goci tha se gara që po hapte parlamenti ishte e gjitha një farsë.

‘’Kryeministri e ka pranuar vetë në Top Channel që kushdo kompani që të hyjë në garë Fusha është e avantazhuar për shkak se ka prokurën e një pjese të pronarëve. Pra kjo ishte vetëm një lojë e pistë në sy të BE-së”, tha Goci.

Protestuesit në hyrje të kuvendit ishin pak. Shumë pak për ta trembur Edi Ramën me të tijtë. Militantë partiakë nuk shihje në protestë. Basha me Kryemadhin kishin udhëtuar drejt Vlorës herët në mëngjes, një lëvizje që ngjall dyshime për motivet e saj.

Koço Kokëdhima e quajti “nja maskarallëk” ikjen e opozitës në Vlorë pikërisht ditën kur duhej të që nëndronte në kuvend, për të mos ia bërë aq të lehtë Edi Ramës shembjen e Teatrit.

Për ata që e panë udhëtimin e opozitës drejt Vlorës si provë të konspiracionit për një bashkëpunim të fshehtë me Ramën, Lulzim Basha e pati një përgjigje.

“Naivëve, të paditurve por edhe kaçurreleve të Edi Ramës, që pyesin sot përse unë dhe opozita nuk jemi sot në kuvend, iu themi qartë dhe prerë: Teatri nuk është shkaku, por pasoja e emergjencës kombëtare, një parlament i mbushur me kriminelë, me politikanë që bashkëpunojnë haptazi me krimin, dhe e pranojnë këtë pa iu dridhur syri dhe nuk iu hyn asnjë gjemb në këmbë nuk është vendi për të  kërkuar drejtësi, por është vendi për të marrë fshesën dhe për të pastruar” u shpreh Basha.

Në këtë fjali duket se mbivendosen kauzat e opozitës, vetingu në politikë dhe mbrojtja e teatrit. Nuk kuptohet as përse përse dy aksionet politike e përjashtojnë njëri-tjetrin.

Në Tiranë, skena e parlamentit ishte e gjitha e lirë për recitimet e deputetëve të Rilindjes. Në radhët e tyre, talentet janë me bollëk.

Eduart Shalsi për shembull, ngriti duart lart kur kujtoi akuzat e opozitës se ligji për teatrin shkelte MSA-në. Taulant Balla i quajti “idioteske” kërcënimet e Lulzim Bashës, që para se të nisej për Vlorë, kishte kërcënuar deputetët socialistë, e kështu me radhë, Ilir Beqja tregoi se i ishte lënë 60 ditë kohë të gjithë ofertuesve për të paraqitur një projekt të ri për teatrin, kurse Mirela Kumbaro bëri një resyme të shfaqjeve të teatrit Turbina, për të treguar se edhe pas shembjes së Teatrit Kombëtar, jeta kulturore në Tiranë do të mbetet e njëjtë.

 

Goditjen finale, opozitës ia dha Edi Rama që nxorri një dokument sipas të cilit, kur ishin në pushtet, Lulzim Basha dhe Florion Mima kishin bërë një tentativë të neveritshme për ta privatizuar Teatrin e Metropolit dhe për t’ia kaluar në pronësi biznesmenit-deputet Astrit Veliajt.

Dhe pasi e telendisën opozitën me ironira e me epitete në sallën bosh të parlamentit, pasi dëgjuan përshkrimet marramendëse të teatrit plot shkëlqim që do t’i ndërtojë Shkëlqim Fusha dhe pasi lexuan dokumentat kompromentuese që u nxorri Edi Rama, deputetët socialistë u ulën në parlament të bindur se Teatri Kombëtar duhej shembur një orë e më parë.

75 vota pro mori dekreti me ndryshime. Vetëm se kësaj radhe, përveç Pandeli Majkos, në votim mungoi edhe Edi Rama, njeriu me rolin kryesor në grabitje, por që nuk ka hedhur asnjë firmë në asnjë dokument dhe që prap ia ka arritur ta dirigjojë siç ka dashur.©Lapsi.al



2 Comments

  1. Luli dhe te tjere te pd ne vend qe te ishin ne kuvend per te treguar me vote qe jane kunder per ligjin e teatrit,por zgjodhen vloren per fjalime boshe qe i thote gjate javes dhe per nje dreke shembullore me karkaleca paguan Agroni.ky eshte luli dhe pd nuk kane bythe as te votojne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *