• |
ide | kryesore

Paratë nuk bëjnë gjithnjë skuadër: Skënderbeu frikëson Tiranën me një sulmues të Kategorisë së Parë dhe një të huazuar prej vitesh

F1, Sport



10 pikë në 4 javë, vetëm dy më pak se maksimumi, në krye të renditjes së Superiores, pikërisht në vitin më të vështirë të 8 sezoneve të fundit. Skënderbeu pret Tiranën në Korcë (18:45) akoma me statusin e skuadrës për tu munduar. Rivalët kishin shpresuar shumë në një dobësim të bardhekuqve pas dënimit të marrë nga Uefa dhe me lojtarët më të rëndësishëm të sistemuar diku tjetër.

Ndoshta ishte edhe normale që një lloj rënie të shihej tek korcarët, por edhe me një trajner debutues si Shehi e me zgjedhje ekonomike, Skënderbeu tregoi se në futboll është më mirë të dish se të kesh. Ata që po frikësojnë kundërshtarët janë dy lojtarë që skanë luajtur kurrë më parë bashkë dhe janë larg statusit të ofensivave të skuadrave me pretendime.

Blerim Krasniqi ka shënuar një gol e ka dhënë një asist në 4 ndeshjet, por ka vënë shenjën e tij edhe në Superkupë. I ardhur nga Apolonia (Kategoria e Parë) një vit më parë, mbi 22 vjecarin tani ka rënë përgjegjësia e sulmit të kampionëve, që nuk ka më emrat e luksit si Salihi e Sowe. Sulmuesi është përgjigjur gati dhe goli i shënuar në ndeshjen decizive me Flamurtarin tregon se Krasniqi është një emër që mund të thotë shumë në këtë sezon.

Një tjetër protagonist është Otto John: 5 ndeshje mes kampionatit e Kupës dhe dy gola e një asist për nigerianin. Gjithnjë i huazuar në vitet e dominimit të Skënderbeut, ky duket se është viti i duhur për të. 20 vjeçari ka më pak minuta, por është njësoj vendimtar. Edhe ai gol në ndeshjen më të rëndësishme deri tani për skuadrën e Shehit, atë kundër Flamurtarit.

Nuk ka rëndësi nëse luajnë të dy, apo zëvendësojnë njëri tjetrin. Krasniqi e John para portës dinë të imponohen dhe Tirana duhet të ketë kujdes pikërisht nga këta dy lojtarë kur të vizitojnë Korcën, për ndeshjen e javës së pestë të Superiores.

Skënderbeu ka zëvendësuar të larguarit me pankinarët e dikurshëm dhe është po aq kompetitiv si më parë. Tirana këtë e ka kuptuar dhe nëse nuk do ti rikthehet telasheve (vetëm një fitore në katër javë) duhet të bëjë shumë kujdes…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *