• |
ide | kryesore

Tirana akuzon arbitrin për barazimin me Skënderbeun

F1, Sport



Polemika dhe situata për tu diskutuar në fund të ndeshjes në Korcë, mes Skënderbeut e Tiranës, e vlefshme për javën e pestë të Superiores. Në fund një barazim, që nuk lë askënd të kënaqur për mënyrën si erdhën gjërat, ndërsa bardheblutë e kanë me arbitrin Orlando Kuka.

Dy episode në pjesën e parë mund ti kishin dhënë tjetër rrjedhë ndeshjes, duke filluar nga ai i minutës së 6’. Ndërhyrja e Lulajt ndaj Blazhevskit, që po shkonte i vetëm drejt portës, nuk është dënuar me kartonin e kuq nga Kuka, por vetëm me kartonin e verdhë.

Gjyqtari përsëritet në vendimin e tij edhe në të 27. Ndoshta i ndikuar nga avantazhi i golit të Edon Hasanit në minutën e 20, Kuka vendos ti japë një dorë korcarëve, duke mos ndëshkuar me kartonin e kuq Marco Radas. Mbrojtësi ndal me dashje topin me dorë, duke qenë i fundit para Blazhevskit që shkonte drejt portës dhe përsëri vetëm karton i verdhë.
Protesta të forta të bardhebluve pas ndeshjes, që e konsiderojnë tendencioz arbitrimin, që favorizoi Skënderbeun në këtë ndeshje.

Barazimi i Skënderbeut erdhi në fund, kur Tirana lëshoi në lojë, duke u tërhequr në mbrojtje të rezultatit. Otto John barazoi ndeshjen, por sjellja në fushë e bardhebluve nuk i ka pëlqyer teknikut Ze Maria, që ka pranuar se skuadra nuk i është bindur në momentet e pësimit të golit.

“Filozofia ime është të sulmojmë dhe të luajmë përpara. Por, ekipi u tërhoq, dhe më duhet të bisedoj me ta për këtë gjë. Nuk mund të pranoj të luajmë me topa të gjatë, nga portieri te repartet e tjera. Në pjesën e parë, shënuam një gol, dhe më pas krijuam dy apo tre raste të tjera për të shënuar. Nuk ka të bëjë me taktikën, por patëm frikë të provonim sërish. Nuk e kuptova, pse ndodhi kështu. Më duhet të bisedoj me ta” ka përfunduar braziliani i nervozuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *