Eden Hazard ka qenë gjithnjë lojtari në qendër të interesit të Real Madrid, sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldos, por duket se e ardhmja e fantazistit të Chelsea mund të mos jetë aq “e bardhë” sa mendohet. Në lojë për belgun kanë zbritur kampionët e Bundesligës Bayern Mynih dhe ata nuk janë nga ata që interesohen kot.
Franck Ribery e Arjen Robben tashmë kanë një moshë të madhe e ky është motivi përse Bayern Mynih është në kërkim të një sulmuesi krahu në lartësinë e tyre. E objektivi është shënjestruar tek emri i Eden Hazard, që në ditët e fundit ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës me Chelsea.
Bavarezët janë në kohë të ndërhyjnë, në një tentativë për ti ndryshuar mendjen belgut, për ta parë Mynihun si destinacionin e ardhshëm. Kuotat e Hazard janë rritur së tepërmi, pas prezantimit fantastik në Botërorin e Rusisë dhe përfshirjen në 11 më të mirët e The Best Fifa.