• |
ide | kryesore

Dëshmia për vdekjen e Dom Lazër Shantojës “Kur e ëma e pa pas torturave tha: Më jepni revolen ta vras”

Dossier



Dom Lazër Shantoja është ndër klerikët e parë që u ekzekutuan sapo komunistët morën në dorë pushtetin në Shqipërinë e pas Luftës. Dom Lazër Shantoja ishte arrestuar që në ditët e para pasi komunistët morën pushtetin dhe në një telegram të datës 19 shkurt 1945, njoftohet nga gjeneral Spiro Mojsiu se ai ishte ekzekutuar.

Pak ditë më parë, për fatin e tij ishte interesuar vetë Enver Hoxha. Në telegramin që Hoxha i dërgonte Mehmet Shehut në Shkodër me 1 shkurt 1945, ai theksonte se me të duhej të bënin kujdes dhe se ai duhej dërguar në Tiranë. Një telegram tjetër i Hoxhës, 10 ditë më vonë, aprovon dënimin me vdekje të Dom Lazër Shantosë.

Vetëm 9 ditë pas aprovimit të dënimit të tij me vdekje, Spiro Mojsiu lajmëronte se ekzekutimi i Dom Lazër Shantosë ishte kryer.

Ky është teksti i plotë i telegramit të Spiro Mojsiut, që kujto.al, e sjell sipas origjinalit që ruhet në AQSH:

n.392

dt.19 shkurt 1945

nr.80/1

Mehmet Shehut

Gjegje telit nr.17 dt.17.II.45. Personat për internim i nisni këtu. Sulce begu e Don Lazri u ekzekutuen.

Gjeneral Spiro Mojsiu

Por, në këtë kronologji ngjarjesh mësohet se Shantoja ka kaluar ditë të tmerrshme mes torturash. Sipas librit “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë”, botim i Arqipeshkvisë së Shkodrës, Dom Lazër Shantoja ishte i pari meshtar që u arrestua pak ditë pas vendosjes së regjimit e tre muaj më pas do të bëhej i pari që do të vritej, duke kaluar ndër torturat më të paimagjinueshme.

Imzot Zef Simoni, në librin e tij kushtuar vuajtveve nëpër burgje, ka thënë për të: “E kanë marrë në hetuesi dhe nuk besoj se kanë torturuar tjetërkënd në Shqipëri, ashtu siç e kanë torturuar atë.”

Në akt-akuzën shkruar në datën 28.01.1945, Dom Lazër Shantoja akuzohet si “bashkëpunëtor i ngushtë i armiqve të regjimit, si fashist i ndezur që ka favorizuar pushtimin fashist dhe ka deklaruar publikisht se Shqipëria ishte koloni italiane duke thënë “Italia nuk do ta lërë kurrë Shqipërinë”

Në burg e torturuan, duke e bërë të përjetonte vuajtje të papërfytyrueshme e pastaj e vranë. Për këtë, Imzot Zef Simoni thotë: “Qe meshtari i parë i pushkatuar pasi e torturuan tmerrësisht dhe barbarisht. Ndër të tjera, i rrjepën lëkurën e këmbëve dhe mbi mish i hodhën kripë, e përsëri, nën tortura, me hekura të nxehtë i thyen këmbë e krahë dhe e lanë pa mjekime. Trupin e tij të sakatur e çuan për pushkatim”.

Kur e pa në atë gjendje, me duar e këmbë që i vareshin pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të trupit, e ëma e cila kishte vuajtur emigrimet e fëmijëve, u tha rojeve: Ju lutem më jepni revolen ta vras!



2 Comments

  1. ”Shqiptarë! Italianë!
    Tash njizet e gjashtë vjet dita njizet e tetë nanduer e mbledh para balkonevet e bashkive të Shqipnisë Fashiste! Këto dy fjalë – Shqipni Fashiste – e ndriçojnë e e karaterizojnë më së miri e ma qartaz situatën e krijueme në Shqipni e në Ballkan më shtatë të prillit 1939. Populli shqiptar nuk ka mujtë kurr me i tregue botës vërtytet elementare të racës së tij të vjetër veçse në gji të një Perandorie: me Romën e Qesarve, me Romën e Pavpve, me Venedikun e Dogjeve, me Napulin e Agjuinve. E sod? Sod e mbrapa këto vërtyte e këto vlera raca e jonë shqiptare asht shenjue t’i a tregojnë botës ndën Romën e Benito Musolinit!

    Popull Shqiptrar! Më difto: A e ke humbun ti pavarsin tande? Jo kurrë! E ata shqiptarë e ata italianë qi kujtojnë e thonë se tashmë Shqipnija asht bamun provincë italiane, ma zi, nji koloni italiane, ata, un ua them qartas a pa perde, nuk kan kuptue kurrgja nga mendimi, nga qëllimi e nga vullneti i Benito Musolinit. Na Duçes i besojmë! Me besue! Asht ky i pari urdhën qi na ka dhanë. Na shqiptarët i besojmë nji burri qi kur flet, gjithmonë vepron, qi kur premton, gjithmonë mban!

    Të frymësuem prej këtij besimi, të forcuem prej kësaj sigurije, na shqiptarët e kremtojmë sod për të parën herë bashkë me vllaznit tonë Italjanë ditën e flamurit të përbashkët e të fateve tona të përbashkëta, tue brohoritë më za të naltë:

    Rroftë Shqipnjia Fashiste! Rroftë Italija Imperiale! Rroftë Mbreti Peranduer! Rroftë Duçeja! Rroftë Mëkambësi i Përgjithëm!”

    (Fjalim i mbajtur nga “martiri” Lazër Shantoja – në foto i shenjuar në rreth – në Tiranë më 28 nëntor 1939).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *