• |
ide | kryesore

Myslym Pashaj ngre dyshime për marrëveshjen e re me Greqinë: Ramës mund t’i kenë hedhur hi syve

Lajme, Të fundit



Myslim Pashaj thotë se ka dyshime të forta për marrëveshjen e re me Greqinë, për detin. Në një intervistë për gazetën TemA, ai flet gjerësisht për negociatat dhe çfarë duhet të bëjë pala shqiptare.

Është folur këto ditë për mungesën e transparencës në Draftmarrëveshjen e Paktit Detar- 2 që i është dorëzuar palës greke, a dini më shumë se si kanë shkuar negociatat dhe a janë argumentet shkencorë e ligjorë ato që ju keni mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese?

Në radhë të parë, siç komentohet nga mediumet greke dhe një studimi i një autori grek botuar edhe në gazetën tuaj, kohët e fundit, dorëzimi Draftmarrëveshjes në versionin shqiptar, është dorëzim (kapitullim) i Grupit Negociator, ndaj mbrjotjes së integritetit territorial dhe hapësirave detare të Shqipërisë në Otranto dhe Kanalin e Korfuzit. E gjithë kjo, është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që e rrëzoi Marrëveshjen e parë. Pyesim njeri-tjetrin nëse ka patur negociata apo si kryefjalë mbetet kushtëzimi paraprak që në takimin e Kretës? Kjo na nxjerr sërish në diktatin e suksesshëm të Republikës së Greqisë, përpara se të uleshin në bisedime. Negociata dhe Negociatorë, si një formë dukjeje ndërsa prapa kësaj skene është diçka tjetër…Ka pasur mbledhje e takime, por a ka pasur Negociata sipas të gjithë standarteve ndërkombëtare? Përgjigja nuk mund të jepet, sepse Qeveria ka një hermetizëm të frikshëm. Flitet për firma që janë marrë gjysma gjysma…për një nxitim dhe për hartim të një Draft-Marëveshje. Mirpo për ne, s’ka asnjë kumt se a janë negociuar pikat thelbore të kthimit dhe rrëzimit të asaj marrëveshjeje nga Gjykata Kushtetuese? Ky vendim i lartë Kushtetues qendron si një barrierë reale ligjore për Draft-Marrëveshjen që është dërguar palës tjetër.

Ju mendoni se nuk janë marrë parasysh?

Dyshoj për këtë. Shqetësohem mbasi si oponent i pavarur më duhet të ballafaqoj argumentet me të cilat kam përfaqësuar kundërshtimin në Gjykatën Kushtetuese të kësaj çështjeje që kishte lidhje me pushtimin e Detit Jon të Shqipërisë. Unë kam qënë në GJK sëbashku me pëfaqësues të të shumtëve politikë të sotëm ( para dhjetë vjetësh ata ishin të paktët politikë në Parlament ) dhe tani ne s’gjejmë dot asnjë kanal që të këmbejmë opinion me Grupin Negociator i cili paska dorëzuar Draft-Marrëveshjen. Sipas të gjithë gjasave deti i Shqipërisë në këtë hapësirë është brenda projektit të një pushtimi të ri.

Kjo është e pabesueshme, sigurisht!

Shqiptarët kapitullojnë se nuk e njohin hapësirën e tyre detare që iu takon në bazë të Konventës së Montego-Bay – 1982, nuk janë të aftë profesionalisht të luftojnë dhe të ndeshen në diplomacinë ndërkombëtare të negociatave, ata janë një shtab i paaftë që shkon në kapitullim, ata janë inferiorë. Apo mund të jetë diçka tjetër?

Ç’mund të jetë?

Gjithçka është vendosur në takimin e Kretës, atëherë kur nuk ishte caktuar grupi negociator dhe as vija lidhëse e presidentit të Republikës. Shqiptarët duhet që të dinë se ç’ka ndodhur!

A mendoni ju se për këtë Draft-Marrëveshje, ka dijeni të plotë kryeministri i Shqipërisë?

Unë s’mund të afrohem atje sipër, ku është kryeministri ! Ehu…haa! Them se ai mund ta ketë një informacion, por hamendoj se atij nuk ia kanë shpjeguar drejt, e ndofta i kanë thënë, ashtu lehtas… se kemi gjetur një vijë të re hartografike…një vijë ( që hedh hi syve) e cila mbulon pushtimin dhe kënaq palën tjetër…( Po ajo është vijë tinzare e gënjeshtare dhe pushtuese). Mjafton që të vizatohet një vijë e re, e ndryshme nga ajo e vitit 2009, por pa asnjë shqyrtim nuk është bërë për pikat thelbore të mospërputhjeve në Zbatimin e Nenit 15 të UNCLOS-82 për zbatimin e Parimit “Equitable Solution” = “Ekite-së” për efektet e ishujve dhe cekinave detare, në Othonoi ( ku është Zona Ekonomike Ekskluzive) Gjiri Sarandës, Barketa, Serpa etj. Për këto, shoqëria civile kërkon informacione se ç’përmban kjo Draft-Marrëveshje për t’u njohur nga gjithë shqiptarët.

Dorëzimi i Draft-Marrëveshjes, që nuk është firmosur nga Prof Ksenofon Krisafi, mos është një fakt alarmues?

Kundërshtitë brenda grupit negociator duket se kanë qënë për pikat themelore. Shpejtësia dhe kërkimi i firmave ka sjellë një situatë të pazakontë, mbasi edhe firmat janë marrë shtresa shtresa, (këtë e thonë jo vetëm burimet e këtueshme…) se nuk ka pasur mbushmendje të plotë. Kemi një asgjësim pjesë-pjesë të grupit negociator, ç’ka kanë çuar në “firmë politike “ e cila po të jetë e vërtetë, siç mund të hamendojmë ne, është aq e turpshme dhe aq tradhëtare se sa e para, Si t’i besosh këto firma? Kur kanë lidhje me fatin e detit Jon të Shqipërisë? Pra: duket se Negociata të vërteta nuk ka pasur.

Si do të ishte rruga e përcjelljes së Draft-Marrëveshjes, sipas jush?

Pas hartimit të Draftit, duhej bërë një Shkurtesë Relatimi për:

1.Opinionin shkencor-teknik- ligjor si dhe shoqërinë civile të cilat kanë forumet e tyre shkencore dhe ligjore që e skanojnë Rezultatin dhe kryejnë oponencën si një filter për opinionin shqiptar.

2.Për Shtabin e Përgjithshëm të FA të Shqipërisë.

3.Për Këshillin e Mbrojtjes dhe Presidentin të Republikës.

Integriteti Territorial i Shqipërisë nuk është i Qeverisë por i gjithë Shqiptarëve. Dhe ata duhet të informohen. Kjo krijon siguri në përcjellje të mëtejshme. Grupi Negociator nuk e ka sigurinë e plotë, ashtu siç ndodhi edhe herën e pare. Sipas të gjitha gjasave ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë. Se në këto kushte Grupi Negociator nuk e ka më tagrin që ta tërheq për ta riparë, atë Draftmarrëveshje. Negociatorët ndodhen tani në gjendjen e një gjumi letargjik.

Ju dyshoni se firmosja e grupit negociator (me përjashtim të përfaqësuesit të presidentit ) është një “firmë e diktuar politike”?

Nga burime të shtetit fqinj dhe sidomos nga axhenda dhe intervistat e ministrit të Jashtëm të Greqisë del se negociatat janë bllokuar. Mua më interesojnë aspekte teknike dhe ligjore, unë nuk flas për diktat politik, se nuk është e fushës sime. Në atë Draft, del se “S’është negociuar për Hapësirën Ekonomike Eksluzive në Otranto (e panegociueshme) as Barketën që është cekinë shkëmbore shqiptare (e panegociueshme) as për Gjirin e Sarandës (që sipas burimeve greke, ka qënë pjesërisht e negociueshme) as për efeketet e Ishujve në krahasim me Dheun Kontinental (e panegociueshme).

Ja pra: “ Është katandisur kokoshi një thelë!”

Mjerim tragjik shqiptar!

Grupi negociator tani e ka për detyrë që të dalë para shqiptarëve me një dëgjesë për ta mbrojtur këtë Draft-Marrëveshje. Informacionet që kanë ardhur nga shteti fqinj, thonë se të dy palët kanë përputhje opinionesh për Delimitimin historik të Detit. Kjo sipas meje do të thotë se Deti është lëshuar ( hapësirë detare e lëshuar= det i pushtuar me marrëveshje). Po si do të kalohet në barrierën ligjore të Gjykatës Kushtetuese.

A keni besim se ky lëshim territori do të ndodhë?

Nuk bëhet fjalë për Teatrin e ri, as për Kullat e PPP-së, as Rruga e Kombit, as hapësirat e kanabisit, as HIPOTEKA dhe ALUIZNI i pronësisë së shqiptarve, por është integriteti territorial dhe i hapësirës detare shqiptare që rrezikon se mund të tjetërsohet. Ne ishim të vetëm kur e filluam. Po tani që gjithë shqiptarët, janë në këmbë, s’ka zot nëne që të diktojë në këtë marrëzi. Unë besoj se Qeveria do të gjëjë një korrekturë diplomatike me shtetin fqinj që negociatat të vijojnë me urtësi, parimësi, drejtësi, në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare Detare, ndofta duke e kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku ne sigurisht fitojmë me ndershmëri dhe drejtësi.



3 Comments

  1. Un dhe Enveri nuk dimë gjë, mos e ka bërë Mehmeti në kokë të tij? Si more nuk e di Enveri…më fal Rama, po ai prandaj ka zgjedhur ata njerëz dhe negocion në fshehtësi

  2. Mendoja se ky ishte patriot , ne te vertete ky qenka partiak . I kane hedhur hi syve Ramaes thote kari me syze . Ky vend nuk ka pas burra asnjehere thjesht kane qene interesaxhi te momentit . Edhe ata te paket qe kane qene burra keta i eliminuan ose i spostuan dhe ne fund i poshteruan . Ropt ne pafundesi te gjithe tradhetareve te ketij vendi .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *