• |
ide | kryesore

Tetë pikë larg kreut dhe e mundur në derbi, por Tirana vazhdon me Ze Maria

Sport



Mbledhje, analizë, diskutime, premtime: kishte gjithcka brenda 2 orë e gjysëm bisedime të teknikut brazilian Ze Maria me presidentin Refik Halili dhe drejtuesit e lartë të Tiranës. Në fund shtrëngimi i duarve dhe seanca stërvitore normale, në vigjilje të ndeshjes së kampionatit të mërkurën.

Mendohej ndryshe në fakt, por bardheblutë kanë zgjedhur të vazhdojnë me teknikun Ze Maria. Kontrata që ka ish-mbrojtësi i Inter me klubin kryeqytetas nuk lë shumë shtigje për hamendësime, pavarësisht daljes me elegancën e driblimeve të dikurshme nga mbrojtësi i djathtë i Brazilit: “Disa mendojnë se qëndroj akoma këtu prej parave, – sqaroi Ze Maria – . Më vjen keq, pasi vetëm këtë vit refuzova një kontratë të majme financiare, dhe vetë klubi e di. Dua të mbyll projektet që filloj. 5 mijë eurot që fitoj nuk më ndryshojnë jetën”.

Nisja më e keqe e Tiranës në kampionat, që kur pikët janë bërë tre për cdo fitore ka peshuar shumë në kuotimin e brazilianit, që nuk është më ai beniamini i tifozëve, si një sezon më parë. Braziliani i ka ngatërruar disi kartat edhe vetë, duke eksperimentuar me skuadrën, pas rikthimit në Superiore. Lojtarët që ishin fondamentalë sezonin e kaluar si Greca apo Ngoo këtë vit janë protagonistë të pankinës, por rezultatet nuk i kanë dhënë të drejtë brazilianit. 8 pikë larg kreut në vetëm 6 javë dhe i mundur në derbi nga rivalët e përjetshëm të Partizanit. Më keq nuk mund të shkonte, e megjithatë, për momentin Tirana vazhdon përpara kështu. “Të shumtë ishin ata që kërkonin që largohesha, por me presidentin jemi sqaruar. I premtova presidentit impenjim maksimal. Nuk kam ardhur këtu për t’iu humbur kohë njerëzve. Jam shumë i kënaqur që qëndrova, pasi asnjëherë nuk e kam fshehur faktin që ndihem shumë mirë këtu në Tiranë”, shpjegoi 45 vjecari.

Braziliani mund të ketë shtyrë afatin e tij në kryeqytet, por përpara se të qetësojë pankinën që ende po tundet, me rezultate, duhet të qepë edhe thyerjet në dhomat e zhveshjes mbi të gjitha me kapitenin Erando Karabeci. Prova e Ze Maria janë katër ditë të zjarrta: transferta e Krujës me Kastriotin dhe sfida me Laçin ku gabimet nuk tolerohen…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *