• |
ide | kryesore

Dossier nga austriakja “Der Standard”/ Kush e dërgoi i pari futbollin në Shqipëri

Dossier



Ethet e futbollit nuk mbarojnë kurrë. Gazeta e njohur austriake, DerStandard ka publikuar një dossier, që tregon se kush e solli futbollin në Shqipëri.

Shkrimi ka për autor Krisztian Csaplar-Degovics, drejtues i sektorit për Europën Juglindore në Akademinë Hungareze të Shkencave.

Gjithçka nis kur Shqipëria shpall pavarësinë dhe austro-hungarezët ishin të shqetësuar për shkak të brishtësisë së shtetit të ri.

Shkodra ishte një nga rajonet më të rëndësishme në vend, por pas një rrethimi prej 7 muajsh, ajo ra në duart e trupave serbe dhe malazeze më 24 prill 1913.

Situata humanitare në Shkodër ishte e vështirë dhe Fuqitë e Mëdha vendosën që të realizojnë një ndërhyrje të përbashkët ushtarake.

Trupat austro-hungareze, gjermane, italiane, britanike dhe franceze marshuan në fillim të majit në Shkodër.

Autori shkruan se administrimin e qytetit e morën përsipër 3 admiralë të Fuqive të Mëdha.

“Me mbështetjen personale të kajzerit Franc Joseph në Shqipëri mbërritën disa ndihma, që u transportuan nga marina luftarake. Procesin e mbikëqyrte lejtnanti Ilija Zivkoviç, një oficer me origjinë serbe dhe shtetësi hungareze. Sipas disa të dhënave, ai ishte një oficer i aftë të fliste disa gjuhë të huaja dhe kishte marrëdhënie veçanërisht të mira me vartësit e tij”, shkruan autori.

“Pas operacionit të suksesshëm humanitar, togeri mbeti në Shkodër, pasi ishte përgjegjës i sigurisë për zonën ku ishin të vendosur austro-hungarezët. Ai nuk e pranonte situatën ku ndodhej rinia shqiptare. Për shkak se nuk kishte një sistem shkollor funksional, ai nisi të organizonte aktivitete sportive.

Me miratimin e shtabit qendror, ai mblodhi të trinjtë nga mosha 14 deri në 20 vjeç dhe nisi t’u mësonte sportet moderne europiane. Mbi të gjitha, ai u mësoi rregullat e futbollit. Brenda pak ditësh, ai organizoi ekipet e para austro-hungarezo-shqiptare dhe nisën kështu ndeshjet e para të futbollit në Shqipëri.

Lajmi për ndeshjet e futbollit u përhap me shpejtësi në qytet. Oficerët britanikë ndiheshin të ofenduar se ideja për të mësuar futbollin tek të rinjtë shqiptarë nuk kishte ardhur prej tyre. Por ata e harruan shpejt këtë dhe nisën të formonin lojtarët e tyre.

Francezët, italianët dhe gjermanët ndoqën shembullin e tyre. Kështu nisën miqësoret e para. Ekipet e asaj kohe simbolizonin fuqitë e mëdha të momentit dhe rivalitetin mes tyre. Për fat të keq, nuk ka informacion se cili ekip e fitoi kampionatin e parë në Shkodër”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *