• |
ide | kryesore

Newsweek: Si po përplasen Thaçi me Ramushin për kufijtë

Kryesore, Lajme



Revista amerikane ‘Newsweek’, i ka dedikuar një shkrim përplasjes ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Hardinaj, dhe presidentit Hashim Thaçi për idenë e korrigjimit dhe ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

‘Newsweek’ shkruan se Haradinaj, në vizitën e tij në SHBA, loboi kundër idesë së prezantuar nga Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.

“Unë kam qenë pjesë e luftërave dhe tragjedive, kështu që nuk dua që fëmijët e mi të përjetojnë diçka që unë e kam përjetuar 20 vite më parë”, u shpreh kryeministri i Kosovës në një intervistë për ‘Newsweek’.

Edhe pse Haradinaj është shprehur haptazi kundër kësaj ideje, presidenti Hashim Thaçi ka lobuar për një marrëveshje Kosovë-Serbi që përfshin korrigjimin e kufijve. Këtë ide, prestigjozja amerikane ‘The New York Times’ e ka përshkruar si “spastrim etnik paqësor”.

Lexo më tej nga Lapsi.al:

 Përplasja/ Thaçi me SHBA, Ramushi me Merkel 

Por, kjo ide e Hashim Thaçit është kundërshtuar ashpër edhe në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Haradinaj u shpreh për ‘Newsweek’ se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme, por thotë se çështja e kufijve asnjëherë nuk duhet të vihet në diskutim.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, edhe pas një të kaluare tragjike. Por, territori dhe kufijtë asnjëherë nuk dihet të vihen në diskutim,  – u shpreh Haradinaj.

Sipas kryeministrit të Kosovës, zbatimi i një ideje të tillë do të shkaktonte një tragjedi të re.

“Është një rrugë shumë e shkurtër që dërgon në tragjedi”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, kushdo që e përkrah këtë ide nuk e respekton Republikën e Kosovës dhe çka është arritur.

“Një ide e tillë është një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, shtoi Haradinaj.

Revista amerikane në shkrimin e saj përmend edhe protestën e organizuar me 29 shtator nga Lëvizja Vetëvendosje, gjithashtu edhe sondazhin përmes të cilit rreth 75 % e të anketuarve janë shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, shkruan Gazeta Express.

Edhe pse shumica e kundërshton idenë e korrigjimit të kufijve, ka njerëz që e mbështesin propozimin e Thaçit.

“Gjëja më e keqe është qëndrimi në status-quo. Edhe pse marrëveshja për korrigjim të kufijve duket e rrezikshme, duhet pasur parasysh se qëndrimi në status-quo është një gjë e tmerrshme dhe është një ftesë e hapur për ndërhyrje të jashtme, incidente dhe konflikte”, u shpreh Petrit Selimi për ‘Newsweek’.

Sipas Selimit, Hashim Thaçi është njëri prej politikanëve më të besuar në Kosovë.

Por, analistët thonë që shumë kosovarë nuk i besojnë Thaçit për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Opinioni publik është konfuz pasi shumë gjëra janë ende mister. Së pari ka mosbesim të plotë për Hashim Thaçin dhe motivet e tij personale për të hyrë në këto bisedime”, u shpreh analisti Agon Maliqi për ‘Newsweek’.

“Perceptimi i publikut në Kosovë është gjithashtu i hutuar nga ndarja midis partnerëve perëndimorë, veçanërisht nga hezitimi gjerman dhe britanik për të përqafuar idenë e shkëmbimit të territoreve”, përfundon Maliqi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *