• |
ide | kryesore

Gripshi “gris” Kukësin dhe Skënderbeu vihet në ndjekje të kreut

F1, Sport



Skënderbeu merr forcën brenda mureve të shtëpisë dhe dominon një kundërshtar konstant të viteve të fundit, Kukësin, duke harruar humbjen e pësuar në Durrës javën e kaluar. Vendosi në Korçë goli i Gripshit, që lejoi bardhekuqtë të parakalonin kundërshtarin në renditje e të vihen tashmë në ndjekje të Partizanit (16), dy distanca larg.

Ajo që ishte evidente ishte performanca diferencuese e bardhekuqve, përballë një Kukësi që zhbëri në 90 minuta, gjithcka kishte ndërtuar në 6 javët e para të kampionatit. Skuadra e Cungut u vu përfund që në fillim, meritë edhe e Skënderbeut që aneksoi totalisht Reginaldon. Bardhekluqtë ushtruan një invasion të plotë drejt portës së Frashërit: traversa shpëtoi fillimisht Kukësin, por jo për shumë. Blutë ishin të çoroditur aq sa lejojnë një shtatshkurtër si Gripshi ti shënojë me kokë, mes Shametit e Cuculit në minutën e 17.

Një pasivitet i pakuptimtë i verilindorëve, që e lanë veten në mëshirë të fatit. Fat që të paktën në minutën e 32 u tregua bujar. Zguro preku topin me dorë brenda zonës dhe për arbitrin Sokoli është 11 metërsh, që një ekspert si Muzaka e gabon totalisht, duke rrezikuar të përmbysë status-quo e ndeshjes. 53 minuta për të parë një goditje të Kukësit, edhe ajo jashtë kuadratit, por të paktën i dha shtysën bluve të përpiqeshin në fund të rrëmbenin një pikë, që në këtë rast do të ishte e pamerituar, për atë që treguan në fushë.

Fitore e rëndësishme e Skënderbeut, që përligj statistikat me 5 fitore në përballjet e fundit me Kukësin dhe vihet në ndjekje të Partizanit kryesues.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *