• |
ide | kryesore

Statistikat e shohin Partizanin për titull…por ai Skënderbeu

F1, Sport



Fitore edhe ndaj Kukësit, ashtu si bëri ndaj Flamurtarit, si në derbin me Tiranën, barazoi me Laçin dhe vendi i parë në renditje i legjitimon Partizanit ndjesinë se pas 26 vjetësh mund të rikthejë titullin në shtëpi. Të kuqtë mbyllën javën e 8 të Superiores me një fitore minimale 1-0 në Elbasan, që i lejoi gjithësesi të kthehen në krye të klasifikimit.

Gjithcka duket në rrugën e duhur: ka një trajner që po e vërtit skuadrën në anën e duhur të rezultateve, që i ka dhënë një lojë identifikuese e ndaj të cilit futbollistët po sakrifikojnë, duke treguar unitet.

E krahasuar me sezonet e fundit performanca kryeqytetase është rritur dukshëm. Në të njëjtën javë të sezonit të kaluar, të kuqtë kishin 8 pikë më pak, kishin shënuar më pak e kishin pësuar më shumë.

Përballë kryeqytetasve janë rrëzuar të gjithë pretendentët me përjashtim të njërit, Skënderbeut. Vetëm se kampionët në fuqi që i mundën në javën e parë të kampionatit, (nga ajo javë Partizani nuk ka pësuar më asnjë gol), janë kundërshtari më i papërshtatshëm për të patur bilanc negativ.

Goli i Malës, në të dytin gol sezonal, ka mposhtur Kukësin dhe i ka lejuar të kuqve të marrin kryesimin me 19 pikë. Nëse mbrojtja e Gegës mund të sfidojë këdo në kampionatet më të rëndësishme statistikisht, përpara Partizani duhet të bëjë dicka më shumë.

Kampionatet fitohen vërtetë duke mos pësuar, por duhet edhe një kampion për të zgjidhur ndeshjen. E të kuqtë kanë qendërsulmuesin që ka shënuar më pak ndër pretendentët kryesorë, gjë që duhet të ndryshojë nëse duan që titulli i 1993-shit të mos mbetet i fundit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *