• |
ide | kryesore

Jordania mundësia e Panuccit për të dalë nga sindroma e një sulmuesi

Sport



Christian Panucci dëshironte të ishte më ofensiv se paraardhësi i tij, por në fund humbi stabilitetin e prapavijës që e nxorri në dritë Gianni de Biassin duke u kthyer gjithnjë tek sulmuesi i vetëm. Për ish-mbrojtësin e Real Madrid gjërat nuk shkuan si shpresonte, i ndikuar nga forma e lojtarëve dhe dëmtimet e rëndësishme, por kundër Jordanisë është mundësia më e mirë për të të rreshtojë një Shqipëri ofensive, duke dalë nga sindroma e vetëm një sulmuesi.

Në fakt, me lojtarët e grumbulluar, tekniku italian mund të besojë si në një modul me dy sulmues, duke alternuar Balajn me Uzunin apo Manajn, ashtu si edhe tridhëmbëshin me Grezdën e Uzunin në krahë, ose beratasin dhe Gazajn në mbështetje të Bekim Balajt.

Nga mesfusha është e sigurtë se italiani nuk do të heqë dorë nga Basha e Memushaj, me të cilët ka diskutuar gjatë edhe në seancën e fundit stërvitore. Në rast të aplikimit të një mesfushe me tre, gjë që Panuccit po i bëhet sugjestion, atëherë Xhaka është gati të krijojë linjën, duke i dhënë më shumë fizicitet repartit.

Mavraj edhe pse nuk ka shumë minuta në këmbë, duket se është alternativa më e mirë e Panuccit për të stabilizuar një repart që pëson me lehtësi, fakt ky i evidentuar edhe nga vetë italiani në konferencën për shtyp.

Vertikalizime, dalje të shpejta në krah, pasime të sigurta nga mbrojtësit dhe topa të administruar: kjo është mënyra me të cilën Panucci kërkon të prezantohet kundër Jordanisë, nesër në orën 20.00. Nuk është ende e qartë nëse, kjo miqësore, në letër e thjeshtë, do të jetë test i përgjithshëm anti-Izrael. Nëse po, tekniku me shumë mundësi do të tërheqë krahët e sulmit në vijë e mesfushës dhe përësri do të luajmë me një sulmues të deklaruar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *