• |
ide | kryesore

Antologji / Pesë poezi të paharrueshme dashurie të Fatos Arapit

Arkiva, Kryesore



Sot është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare Fatos Arapi i cili bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritero Agollin përbënin triadën e poetëve më të shquar të shekullit të shkuar. Poeti i lindur në Vlorë, që i kreu studimet e larta në Sofje në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë, ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Përpos shkëlqimit në poezi F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; Ai ka shkëlqyer edhe si përkthyes i Pablo Nerudës, 1989; Safos, 1990; etj

Në një vend ku mediat i kushtojnë më shum bojë të zezë vrasjes së kriminelëve sesa lamtumirës së poetëve, Lapsi.al pi i sjell lexuesve pesë poezi të paharueshme dashurie të Fatos Arapit

Si s’të desha pak më shumë
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.

Ti do vish

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se une ty te pres
duke ndjer’ frymemarrjen e vet mbremjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymemarrjen e vetmise
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qe une po te mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vertitnja
si nje portokall’ ne doren time-
te rrjedhe koha shpejt
…………e ti te vish…

Ti do më dashurosh patjetër

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditëne ndezën.
Mirë sot,po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërcev jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

Ata që dashurojnë akoma

Ata qe s’kane buke,
kur te kujtojne buken,
ty dhe mua le te kujtojne.
Ata qe s’kane zjarr,
kur te kujtojne zjarrin,
ty dhe mua le te kujtojne.
Te pagjumet e botes,
me syrin hapur si nata,
ne mesnaten e tyre
ty dhe mua le te kujtojne.
Ata qe kane vdekur
dhe dashurojne akoma,
ty dhe mua le te kujtojne.

Jeta

Jeta eshte stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi perhere udhetare
dhe nder duar, bagazh te pandare,
nje valixhe te vogel
perpjekjesh, sulmesh, kujtimesh.

 



2 Comments

  1. Rrespekt per Poetin dhe poezine e mrekullueshme te tij,dhe nje
    falenderim te madh qe na e solli Pablo Neruden ne shqip.

    Atdheu(Poezi nga Fatos Arapi)

    Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
    Një prill i pikëlluar në shpirt.
    Atdheu është kryqi, është kryqi.
    E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

    Atdheu është toka e premtuar.
    Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
    Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
    Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

    Atdheu është buka e uritur,
    të ikën nga duart e dot nuk e ngop
    ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
    me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

    Atdheu është varr i hapur, është varr.
    Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
    Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
    Në një pikë loti lirinë e lind.

    Atdheu yt i vogli, i vogli,
    Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

    Poezi nga Musa Vyshka
    MOS E KTHE KOKËN PAS
    (Mikut tim Fatos Arapi)

    Mos e kthe kokën pas edhe në qofsh i fundit!
    Do të të vijë turp nga gjurmët që mbolle pa lavdi.
    Mos i jep dorën kurrë dinakut që të mundi!
    Mos qaj, nëse ke dhembje! S’të mëshiron njeri.

    Mos e kthe kokën pas! Asgjë s’ke lënë pa parë!
    Ato, që dot s;i bëre, janë tretur përgjithnjë.
    Një dashuri të shkelur a një premtim të vrarë
    Do t’i kesh pas si hije e s’i largon dot më.

    S’do ta mësosh kurrë tradhëtinë që të mundi!
    Nga mijëra pikëpyetje qielli me zjarr u mbush.
    Edhe kur ta kuptosh, që je përherë i fundit
    Duhet ta dish përjetë që pas të ndjek dikush.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *