• |
ide | kryesore

Xhentilmeni Ze Maria – Ikja me stil nga Tirana: “Koha do tregojë nëse problemi ishte i imi apo i presidentit”

F1, Sport



Kontrata ishte problem dhe kontratës e zgjidhi me mirëkuptim braziliani Ze Maria, duke i dhënë frymëmarrje Tiranës dhe presidentit Refik Halili, që donte ndryshimin teknik, por nuk kishte mundësinë financiare për ta bërë. Në një konferencë për shtyp, të stilit prej kampioni, Ze Maria nuk hezitoi të dilte me dinjitet nga skena e kryeqytetit.

“Kur një martesë nuk shkon mirë provojmë që ta mbajmë, por ka momente që divorci është i domosdoshëm – shpjegoi tekniku -. Ka ardhur momenti që të kërkojmë divorcin midis nesh për shkak të rezultateve. Falënderoj tifozët dhe shpresoj që të shihemi në atë ardhmen, nuk e di se ku, por shpresoj që të kem lënë një kujtim të mirë në Shqipëri.”

Kjo është sjellja për xhentilmeni e brazilianit, elegant në sjellje si dikur në fushë, që pranoi daljen e mirë nga bardheblutë, duke i kursyer Halilit barrën financiare të gati 140 mijë eurove, të detyrimit të përmbushjes së kontratës, që i kishin lënë pak shtigje presidentit bardheblu, për të kërkuar largimin e Ze Maria.

Braziliani mori vetëm 8 pikë në 8 ndeshjet e para të kampionatit, shumë pak për Tiranën që kërkonte të bëhej faktor i luftës për titull. Për ta rënduar situatën e 24 herë kampionëve erdhi humbje në derbi me Partizanin. Braziliani u kontestua shpesh edhe nga lojtarët në dhomat e zhveshjes, pasi ndryshe nga një sezon më parë, Ze Maria përzjeu kartat, duke ndryshuar hierarkitë e lojtarëve.

Braziliani ndoshta do të kishte dashur të tregonte më shumë nga futbolli që ka në mendje, por gjërat nuk shkuan si duhet, por përpara se të dilte nga Selman Stërmasi për herë të fundit si trajner i Tiranës, nuk mungoi shigjetimi inteligjent për atë që sipas tij ndikoi shumë në dështimin e Tiranës. “Do të shohim me kalimin e kohës nëse problemi ishte i imi apo i presidentit. Shpresoj që të jem unë problemi dhe uroj me të vërtetë që të rritet skuadra” theksoi me nënqeshje Ze Maria, që më pas shtoi -. “Nuk kanë ardhur lojtarë me karakteristikat që unë dëshiroja, por kanë qenë lojtarë që janë afruar për arsye ekonomike apo të tjera. Mbase nuk janë të gjitha karakteristikat që unë kam kërkuar”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *