• |
ide | kryesore

Në Izrael varet fati i kuqezinjve, por Panucci bën misteriozin: “Formacionin do ta mësoni kur të fillojë ndeshja”

F1, Sport



Shqipëria do të zbresë në fushë pas 24 orësh, por duket sikur mezi prete të tregojë se cfarë është e aftë të bëjë përballë Izraelit. Atmosfera në skuadër është cuditërisht entuziaste, pavarësisht mungesave të shumta dhe dëmtimeve e refuzimive që e goditën skuadrën kuqezi në prag të sfidës zyrtare për Ligën e Kombeve. Tekniku, Christian Panucci, ndryshe nga nervozizmi i ndeshjeve të fundit e ka marrë me humor, një ndeshje që është vendimtare për të dhe kuqezinjtë, gjithnjë nëse munden. “Është java më e lumtur që kur kam marrë drejtimin e Shqipërisë” tha italiani në konferencën për shtyp.

Mund të jetë edhe kështu, por ka një motiv: fakti që Izraeli luajti një ndeshje të intensitetit të lartë e bën Panuccin të shpresojë në këmbët e rënduara të kundërshtarit. Në anën tjetër, kuqezinjtë kanë rikuperuar disa lojtarë të rëndësishëm, si Mavraj apo Grezda. Sulmuesi i Rangers ka kaluar edhe problemin në shpinë dhe sot nuk ka patur aspak dhimbje, duke qenë gati për takimin të dielën në 20-45 në Tel Aviv.

“Izraeli ka zhvilluar një ndeshje të madhe ndaj Skocisë. Ishte krejt ndryshe, dukej si Skocia kundër nesh në Glasgou – shpjegoi Panucci në konferencën për shtyp para ndeshjes -. Kanë shumë cilësi dhe lojtarë të zotë, do të jetë ndeshje shumë e vështirë për ne, por edhe për ata që kanë luajtur tre ditë më parë”.

Mbrojtje me tre duket se është e mednuar që më parë, por nëse do të luajë me dy sulmues, apo me linjë treshe pas qendërsulmuesit të vetëm, italiani bën misteriozin dhe thotë: “Formacionin dhe mënyrën sesi do të luajmë e kam zgjedhur. Do ta shohim nesër 11-shen titullare. E kam patur në kokë formacionin pasi kam parë ndeshjen Izrael-Skoci. Do të ketë lojtarë në formacion, edhe nga ata që u aktivizuan ndaj Jordanisë”.

Një grup i ndërlikuar, me tre skuadra në kuotë të barabartë pikësh, 3. E rëndësishme për kuqezinjtë është të mos dalin të mundur nga kjo sfidë, për të luajtur gjithcka në shtëpi kundër Skocisë, ku nuk bën diferencë nëse kemi 4 apo 6 pikë. Fakti që skocezët na kanë mundur në ndeshjen e parë, na bën të detyruar të fitojmë kundër tyre, gjithnjë nëse në përplasjen direkte nuk kemi pikë më shumë se Highlanders.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *