• |
ide | kryesore

“Nuk doja ta vrisja, por ai…”, dënohet me 14 vjet burg nëna e 2 fëmijëve që qëlloi me sëpatë burrin

Lajme, Të fundit



Bëhet fjalë për ngjarjen e majit të vitit 2017, kur Shkëmbi goditi me sëpatë në kokë bashkëjetuesin e saj, Artur Jaupi. Edhe pse nëna e dy fëmijëve kërkoi mëshirë nga Gjykata dhe shpalli pendesë për veprimin e saj, trupi gjykues vendosi në fund dënimin e saj me 14 vjet burgim.

Shkëmbi u bë e njohur për opinionin publik për denoncimet e saj në vitin 2017, ku ka rrëfyer se është shitur disa herë në Maqedoni dhe shfrytëzuar për prostitucion. Ajo madje denoncoi edhe dy persona, por më pas u tërhoq nga akuzat. Prokuroria kishte kërkuar nga Gjykata dënimin e saj me 15 vjet burgim, por në fund Gjykata dha 14 vjet burgim. Trupa nuk mori parasysh kërkesën e Shkëmbit për rikualifikim të veprës penale.

Ajo pretendonte të dënohej për dhunë në familje, mirëpo sipas Gjykatës, Vjollca Shkëmbi ka tentuar ta vrasë me dashje bashkëjetuesin Artur Jaupi. Në fjalën e saj përpara vendimit të Gjykatës, Shkëmbi tha se ishte dhunuar nga bashkëjetuesi dhe se po të kthehej koha mbrapsht, nuk do ta kryente atë veprim.

“Jam dakord me mbrojtësin tim. Ju kërkoj ndjesë për këtë që kam bërë. Ju lutem vetëm për fëmijët. Dua të them se Artur Jaupi më dhunonte, më ka çuar edhe në Greqi, që unë punoja prostitutë. Unë të dënohem, por dhe ai të dënohet për atë vepër që ka bërë”, tha Vjollca Shkëmbi para trupit gjykues.

NGJARJA

Gjithçka ka ndodhur në datën 5 maj të vitit 2017, në fshatin Sheqeras të Bashkisë së Maliqit. Sipas ish-bashkëjetuesit Artur Jaupi, ata ishin njohur gjatë muajve prill-maj në kohën kur Arturi shkonte në Pojan, vendin ku banonte Vjollca dhe shiste bimë medicinale. Për rreth 1 muaj e pak ata janë njohur, ku kanë dalë disa herë për kafe dhe kishin vendosur të bashkëjetonin.

Gjatë periudhës së njohjes, Vjollca i kishte treguar atij se kishte një vajzë dhe në momentin që kishin vendosur të jetonin bashkë, e kishin diskutuar me familjarët e Arturit, të cilët kishin rënë dakord dhe kishin shkuar në Pojan, në shtëpinë e 27-vjeçares për të marrë vajzën. Sipas Artur Jaupit, aty ai kishte parë 2 fëmijët që Vjollca kishte pasur nga një martesë tjetër, një vajzë për të cilën kishte dijeni dhe një djalë 1 vjeç. Për këtë të fundit, Vjollca dhe familjarët e saj i kishin thënë se ishte fëmija e motrës së saj.

Nga kjo vizitë, ata kishin marrë me vete vetëm vajzën dhe pas kësaj, në shtëpi kishte pasur sherre të vazhdueshme, pasi mamaja e Artur Jaupit ishte ankuar për sjelljen e nuses, ndërsa kishte vënë në dukje edhe faktin se ishin duke i ushqyer edhe vajzën. Gjatë debateve, Vjollca kishte kërkuar që të largohej për në shtëpinë e saj, ndërsa një ditë më pas kishte ndërruar mendje dhe nuk ishte larguar.

Nga ana tjetër, Artur Jaupi e ka marrë vesh për ekzistencën e djalit të Vjollcës, pasi kishte shkuar në Gjendje Civile për të pyetur në lidhje me disa letra, që më herët bashkëjetuesja e tij i kishte thënë se i kishte bërë gati. Aty ka marrë vesh se djali 1-vjeçar ishte i saj dhe disa kohë më parë punonjësit socialë kishin shkuar për t’ia marrë, pasi Vjollca Shkëmbi ishte larguar nga shtëpia.

Pas debateve që nisën për një telefon, në datën 5 maj të vitit të shkuar debati ka degjeneruar në dhunë, ndërsa Vjollca ka goditur disa herë me sëpatë Artur Jaupin, ndërsa kur ka shkuar në spital, janë vënë re edhe hematoma të tjera, të cilat, sipas 45-vjeçarit janë shkaktuar sepse Vjollca ka vazhduar ta godasë, pasi ai kishte rënë pa ndjenja sepse kishte menduar se kishte vdekur.

Vetë Vjollca Shkëmbi ka pasur rezerva për hetimet e Prokurorisë, duke theksuar vazhdimisht se ajo është dhunuar prej bashkëjetuesit dhe se ngjarja ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Ajo gjithmonë ka pretenduar se nuk ka dashur ta vrasë Jaupin.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *