Paolo Tagliavento, sot ish-arbitër, por sezonin e kaluar gjyqtari i katërt në Inter-Juventus të shumë polemikave (atë për faullin e Pjanic ndaj Rafinha), është kthyer të flasë për një episod që u përfol shumë. Një moment pas ndeshjes, gjatë përshëndetjes në zonën mikse të San Siro me Massimiliano Allegri. “Fjalët e tij u keqinterpretuan. Ndodh shpesh të takohesh me trajnerët në fund të ndeshjes dhe përshëndetesh, ka ndodhur edhe me trajnerët e Roma, Napoli, Inter e shumë të tjerë”.
Tagliavento, në Radio Kiss Kiss, shmang të japë një mendim mbi gjykimin e Orsatos në atë ndeshje: “Inter-Juventus u drejtua nga një arbitër i madh e nuk më takon mua të them nëse Pjanic duhej ndëshkuar me karton të kuq, Daniele do ti tregojë të gjithëve se është një arbitër i madh. E sa për gabimet, mund të ndodhin. Gabojnë të gjithë, edhe futbollistët, presidentët e trajnerët”.