• |
ide | kryesore

Federimi ishte bërë në gusht, Ikenna mbërrin tek Vllaznia në tetor

Sport



Proces pune, ku ndërmerret në sy risku. Kështu është bërë në Shqipëri merkato e futbollit, kur bëhet fjalë për lojtarë të huaj, vecanërisht afrikanë. Për të qenë brenda me rregulloren, duke përfituar edhe nga vakumet në nenet e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, klubet federojnë lojtarë që nuk e kanë shkelur fare territorin shqiptar. E ndodh që në përfundim të sesionit të merkatos të figurojnë lojtarë në listën e klubit, që shfaqen për herë të parë pas muajsh, ose edhe më keq, nuk bëhen prezentë kurrë deri në merkaton e ardhshme, ku dalin nga lista.

E tillë është edhe historia e nigerianit Eziamaka Collins Ikenna, që është bashkuar më në fund me Vllazninë, duke u vënë në dispozicion të teknikut Hasan Lika, tre muaj pasi ishte bërë pjesë e skuadrës. Sulmuesi, që figuronte në listat e federimit të shkodranëve që në përfundim të merkatos së verës, është bllokuar nga problemet e dokumentacionit.

Nigeriani e ka patur të pamundur pajisjen me vizë, për të mbërritur në Shqipëri, por për fatin e tij situata është zgjidhur, duke u prezantuar sot për herë të parë tek kuqeblutë.

21 vjecari konsiderohet një lojtar me kualitet të lartë dhe kuqeblutë shpresojnë vetëm që pritja t’ia ketë vlejtur.

Nuk është vetëm nigeriani Ikenna, që më shumë mundësi do të jetë spektator në ndeshjen me Erzenin, sepse periudha e ndërprerjes së kampionatit i ka shërbyer për mirë shkodranëve në rikuperimin e disa titullarëve të cilit ishin me probleme dëmtimesh. Tekniku Lika megjithatë duhet të bëjë pa mesfushorët Florind Bardulla, që nuk ka rikuperuar dëmtimin në kavilje dhe kapitenin Gilman Lika, që duhet të jetë i gatshëm duke filluar nga sfida e ardhshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *